Debati, Berisha-Ruçit: Me “Partinë e plehut” nuk vini as për 20 vjet në pushtet
Ruçi përgjigjet: “... Ne, sigurisht shumë shpejt do të jemi mazhorancë e këtij vendi. Dhe ligji i parë që do të anulojmë është pikërisht ligji i plehrave...”
TIRANË Rishikimi i ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve ka përplasur sërish dje në Kuvend dy partitë kryesore, PS e PD. Kryeministri Sali Berisha ka lënë të kuptohet se lufta për mbetjet nga ana e opozitës lidhet me krijimin e një partie të re, atë të Bamir Topit, të cilën Berisha e cilësoi si “Partia e plehut”. “Sot, kjo ditë shënon de facto themelimin në këtë sallë të ”Partisë së plehut”. Pasi u themelua “Aleanca e plehut”, shpërtheu epidemia “o burra të gjejmë vota në plehra” dhe po rrëmohet, po kërkohet, po bëhet gjithçka që në plehra të mbijnë partiçka”, - tha dje Berisha, i cili ka gjetur kundërshtimin e kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi: “Në qoftë se ti etiketon ‘aleanca e plehut’, sot do të jetë mirë që para shqiptarëve secili, unë, ju çdo deputet në këtë sallë me gojën e tij të shpalosë qëndrimin e tij për çështjen e plehrave. Historia do të na ndëshkojë të gjithëve, edhe si forca politike, edhe si individë. Prandaj ky është qëndrimi që ne duhet të mbajmë dhe jo të bëjmë moralizime këtu për kundërshtarët politikë”. Nga ana e tij, kryeministri theksoi se ligji i miratuar në Kuvend është ligji i mbrojtjes së Shqipërisë nga mbetjet toksike. “Thelbi dhe qëllimi i tij është mbrojtja e këtij vendi nga mbetjet toksike. Por le t’i shohim gjërat jashtë bursës së shpifjeve dhe sharjeve, në të cilën sa më shumë të shpifësh e të shash, aq më lart ngjitesh në shtyllën e turpit. Le të shohim pak jashtë saj. Çfarë është ky ligj? Ky është ligji që i imponon qeverisë të përjashtojë me vendim të Parlamentit, të gjitha plehrat toksike. Ky është ligji që i imponon qeverisë që mbetjet jotoksike të lejohen të importohen, jo siç ndodh deri tani, jo siç u vendos në 2003-shin kur këta zotërinj ishin në pushtet...”, - tha Berisha. Kreu i ekzekutivit shtoi se opozita i ka varur shpresat tek partia e “plehut” për të ardhur në pushtet. “Këta që i kanë varur shpresat tek “Partia e plehut” për të ardhur në pushtet dhe që nuk do ta shohin pushtetin të paktën dhe për 20 vjet në këtë mënyrë. Nuk vihet kështu në pushtet, nuk është kjo rruga e pushtetit”, - shtoi ai. Ndërsa kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Gramoz Ruçi paralajmëroi se me ardhjen e tyre në pushtet, ligji i parë që do të anulohet do të jetë pikërisht ligji për importin e plehrave. “Ne nuk do reshtim, edhe nëse ju e miratoni sot për të shfrytëzuar të gjitha hapësirat ligjore, të gjitha marrëdhëniet me publikun dhe me shoqërinë civile, me të gjithë dhe, në qoftë se s’do t’ia arrijmë prej kapjes së shtetit nga pushteti juaj, ne sigurisht shumë shpejt do të jemi mazhorancë e këtij vendi. Dhe siç thashë, ligji i parë që do të anulojmë është pikërisht ligji i plehrave”, - tha Ruçi. “Unë them se këta që përpiqen të mbijnë partinë mbi plehrat, këta janë të pashpresë, sepse kryetari i tyre, duke e parë se e ka të pamundur të fitojë, pasi kalon nga disfata në disfatë, ka vendosur me çdo kusht të urdhërojë të krijohet parti dhe të varet prej tij...”, - reagoi Berisha. Por kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Gramoz Ruçi, shqetësimin e çoi gjetkë. “Me atë gjendje skandaloze që ka shërbimi shëndetësor në Shqipëri, importi i plehrave, të gjithë pa përjashtim që nga fëmijët e deri tek pleqtë janë të rrezikuar jo nga sëmundje dosido, por nga kanceri”, - tha ai. Ndërsa Berisha u përgjigj: “Këta ju flasin për toksina, por a e dini ju se sa toksina hyjnë në Shqipëri? Në Shqipëri futen njëmijë lëndë toksike, ato janë ilaçe, ato janë fertilizantë, ato janë insekticide, ato janë të gjithëllojshme; ato janë futur edhe më përpara, ato janë futur që kur është krijuar shteti shqiptar dhe deri më sot. Por kanë kushtet e kontrollit të tyre. Atëherë, sipas kësaj logjike primitive, ne duhet ta përjashtojmë çdolloj importi toksik. Por, a ka më toksike dhe të rrezikshme sesa helmet e arsenikut apo helmet e zhivës dhe helme të tjera? Nuk ka gjëra më toksike se ato. Por megjithatë, unë ju garantoj se ato futen me destinacionin e caktuar dhe kontrollohen po nga ata laboratorë që ju thoni se ne nuk i kemi. Por ne i kemi laboratorët more zotërinj, ne i kontrollojmë ata. Duhet t’i ndalojmë ato tani, se doni ju të krijoni “Partinë e plehut”? Jo! Absolutisht, jo”. Gjatë seancës së djeshme, Ruçi në emër të PS-së hodhi sërish idenë e një referendumi. “Është një debat i gjerë këtu, është një debat edhe jashtë kësaj salle, tek ata njerëz që na kanë sjellë ne këtu. T’i pyesim qytetarët, të organizojmë një referendum popullor. Pse s’pranon?! ǒështë ky ngut, ç’është kjo urgjencë?!” - tha Ruçi.