Dekretet, sherr mes Rusmalit dhe Majkos
PD nuk i hedh për votim emrat e dy anëtarëve, Majko: Po shkel procedurën
Votimi, të enjten - Pas kësaj procedure, Kuvendi pritet ti votojë këto kandidatë për në Gjykatën e Lartë në seancën e së enjtes. Kalimi i tyre pritet të jetë pa probleme, pasi opozita ka deputetë të penalizuar në radhët e saj dhe nuk marrin pjesë në seancë.
BLEDAR HOTI
Sherr banal në Komisionin Parlamentar të Ligjeve për dekretet e dy anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Seanca ka degjeneruar jo për shkak të ndonjë debati mes dy të propozuarve për në Gjykatë, por ndërmjet kryekomisionerit Ilir Rusmali dhe socialistit Pandeli Majko. Gjithçka ka nisur në momentin kur Rusmali ka mbyllur çështjen e diskutimeve dhe pyetjeve, duke i ka kaluar pa votim ato pika, pasi sipas tij, kishte dhe mbështetjen e opozitës. “Nuk ka pyetje nga kolegët. Do të thotë që kjo pjesë e kësaj pike të rendit të ditës, zhvillimi i seancës dëgjimore me dy kandidatët mbyllet këtu, tha Rusmali. Por ndërkohë ka ndërhyrë socialisti Pandeli Majko, i cili i është drejtuar Rusmalit me shprehjen se përse kalove në pikën e dytë të votimit. E more të mirëqenë kur nuk e kaluam në votim. Kryekomisioneri iu drejtua me shprehjen se meqë opozita nuk pati diskutime, e mora apriori se ishit dakord, duke shtuar se tani u kujtove ti, unë nuk mund të nxjerr fall me filxhanin se çfarë ka në mendje Pandeli Majko dhe se kur do të votoni ju. Ish-kryeministri ka reaguar menjëherë duke i thënë filxhani i sat ëme. Nuk keni turp e quani të miratuar kur nuk e hidhni për votim një gjë të tillë. Kjo solli reagimin e Rusmalit, i cili theksoi se Majko duhet të mbajë vetë pasi ka qenë drejtues i qeverisë dikur. PS kërkoi që të votoheshin dekretet, por mazhoranca e hodhi poshtë propozimin e opozitës, duke bërë në mënyrë automatike votimin e tyre.
Debati në mbledhje
Ilir Rusmali: Pyetje nga kolegët? Nuk ka pyetje. Do të thotë që kjo pjesë e rendit të ditës, e zhvillimit të seancës dëgjimore mbyllet këtu. Vendimin për kandidaturat do ta marrë Kuvendi me votim, do të thotë se ne nuk vendosim gjë, por ne i rekomandojmë Kuvendit plotësimin e kritereve formale juridike për kandidaturat dhe këtë gjë ne do ta bëjmë përmes raportit. Unë do të propozoja që për të dy dekretet të caktojmë relator zotin Paloka (Edi Paloka PD). Ndonjë gjë për të diskutuar rreth dokumentacionit? Nuk ka. Atëherë procedura e zakonshme do të jetë ajo e rekomandimit të Kuvendit për shkak se përcaktohen kriteret për kandidatët. Kalojmë te pika tjetër e rendit të ditës. Kemi ardhur këtu për të paraqitur marrëveshjen ISTNA…
Pandeli Majko: Me sa di unë dekretet hidhen në votë apo jo? A u hodhën në votë dekretet? Për çfarë jemi këtu, për të bërë vota apo për të hedhur në votë dekretet e Presidentit të Republikës. Po lëri tani këto komedira. Apo thua se unë do ti bëj shpejt e shpejt.
Ilir Rusmali: Ose u zgjuat tani nga gjumi ose tani ju pickuan!
Pandeli Majko: Kujdes me fjalorin ti. Dua fjalën!
Ilir Rusmali: Jo nuk e merrni
Pandeli Majko: Për procedurë.
Ilir Rusmali: Jo se ju e miratuat me konsensus.
Pandeli Majko: Ku e keni konsensusin këtu
Ilir Rusmali: Keni dhënë konsensusin. Nuk jua ngre dorën me zor. Kijeni mendjen. Kur vijmë në punë për të lexuar rendin e ditës, nuk lexoj as filxhanin e Pandit, as filxhanin e Shegës.
Pandeli Majko: Filxhani i sat ëme.
Ilir Rusmali: Nëse nuk keni opinion do të thotë që jeni dakord me rendin e ditës.
Pandeli Majko: Mos u bëj karagjoz.
Ilir Rusmali: Ju tërheq vëmendjen z. Majko. Ore mbaje veten mor burrë. Ore kujdes ti me fjalorin se ke kaluar te faqja e fundit mbi dhjetë herë. Mbaj veten se është turp për një ish-kryeministër të përdorë fjalë të ndyra, fjalë të pista në komision. Apo je pa mikrofon dhe stë shikon njeri. Turp të vijë!
Raporti në Kuvend
Ja pasuritë e dy kandidatëve, ILDKP: Nuk kanë ndonjë shkelje
Me dosjen e dy kandidatëve Thanza dhe Ndreca kanë qenë të shoqëruar dhe një raport i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive. Në bazë të të dhënave të dy kandidatëve rezulton se Thanza ka si asete: apartament me sipërfaqe banimi 136 metër katrorë dhe 18 metër katrorë garazh, me një vlerë monetare 3 milionë lekë, në qytetin e Shkodrës; ka një apartament banimi 78 metra katrorë, me një vlerë 25.740 euro, në Tiranë; apartament banimi me sipërfaqe 149 metër katrorë, në një vlerë 112.000 metër katrorë, në selitë të vogël të Tiranës. Përveç disa llogarive bankare, Thanza sipas ILDKP-së disponon bono thesari me burim tërheqjen e depozitave të kursimit dhe të ardhurat nga aktiviteti i noterisë së bashkëshortes, në një vlerë 5.2 milionë lekë. Ndërsa Tom Ndreca sipas ILDKP-së ka: apartament banimi 2+1; apartament banimi 70 m2 në Golem të Kavajës, në një vlerë 31.000 euro; apartament banimi me sipërfaqe 100 m2, në një vlerë monetare 6 milionë lekë, në zonën e Komunës së Parisit, në Tiranë. Ndreca ka detyrim 5 milionë lekë ndaj një firme ndërtimi.
Dekretet, sherr mes Rusmalit dhe Majkos burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email