Dekreti i Presidentit për pronat, PS: Jashtë rendit, debat të enjten në kuvend

Tiranë, 20 shtator, NOA Pas mbledhjes së sotme të grupit kuvendor socialist, Partia Socialiste ka deklaruar se do të diskutojë në seancën plenare të së enjtes dekretin e presidentit për ligjin e pronave të ndryshuar, i rrëzuar javën e shkuar në kuvend nga mazhoranca.
Deputeti i PS-së, Eduart Shalsi menjëherë pas mbledhjes së grupit të PS-së, deklaroi për mediat se grupi kuvendor vendosi që në seancën plenare të datës 23 Shtator të diskutojë edhe pse jashtë rendit të ditës, për mënyrën e rrëzimit të dekretit të presidentit Bamir Topi për ligjin e pronave, një votim i cilësuar si antikushtetues pasi u ripërsërit, një votim ky i dyfishtë që autoritetet e Parlamentit e arsyetuan përmes një kërkese pa emër të paraqitur në seancë.
Shprehim të gjithë indinjatën tonë për këtë akt të paprecedentë dhe të pafalshëm. Siç u pa qartë edhe nga të pranishmit, në sallë mazhoranca nuk i kishte numrat e mjaftueshëm për ta miratuar këtë ligj, deklaroi deputeti Socialist.
Ai nënvizoi se votimi në fjalë, i një ligji mjaft të rëndësishëm për shqiptarët, si ai i pronave, është një dhunim i vazhdueshëm i procedurave në Kuvend.
Zoti Shalsi e vlerësoi vendimin në fjalë jo vetëm si antikushtetues, por edhe si një ngjarje, që nuk do të kalohet lehtë nga opozita.
Lidhur me votimin e dyfishtë të ligjit të pronave të ndryshuar i risjellë në kuvend për tu diskutuar pasi shkelte kushtetutshmërinë e pronës, autoritetet e Kuvendit mohuan të ketë patur ndërprerje të votimit të dekretit të presidentit, në seancën e 16 shtatorit.
Zyra e shtypit e kuvendit, madje të nesërmen e votimit nxori një njoftim sqarues ku thuhej se procedura e votimit është zhvilluar konform rregullores, në mënyrë specifike neneve 56, 57, 58 dhe 61 të saj.
Sipas njoftimit u mësua se gjatë procedurës së votimit të dekretit Për kthimin dhe kompensimin e pronës, me kërkesë, është pezulluar votimi dhe është ribërë ai si pikë e fundit e rendit të ditës.
Dekreti i Presidentit, për rishqyrtimin e ligjit për kompensimin dhe kthimin e pronës i ndryshuar u rrëzua nga mazhoranca me shumicën e nevojshme të kërkuar, dhe vetëm me votimin e dytë mazhoranca mori 71 votat e kërkuara për rrëzimin e dekretit.
Votimin e dekretit e abstenoi ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu dhe kryetari i Partisë Republikane, një parti e rreshtuar kah idesë se prona duhet të shkojë tek i zoti, pra tek pronarët e ligjshëm dhe jo ata që kanë përfituar pronë, përmes ligjit 7051.
mit/NOA