E Shtunë, 31 Tetor 2026

Del Ponte, Gjah apo Lajthitje?

 

Për habinë e të gjithëve, madje edhe të Qeverisë së saj, që e kishte propozuar për Ambasadore në Argjentinë pas mbarimit të mandatit si Kryeprokurore e Gjykatës së Hagës, Karla del Ponte, nëpërmjet librit të saj "Gjahu. Unë dhe kriminelët e luftës" ka trilluar se "në Burrel ishin vrarë rreth 300 serbë për t'u bërë transplant organesh".

Jo vetëm mediat shqiptare, por edhe ato të huaja kanë shkruar këto ditë për "surprizën" e Karla Del Pontes, e konsideruar gjer vonë si "gruaja e fortë". Madje kanë filluar debatet edhe në Këshillin e Europës, për të vërtetuar saktësinë e librit të Del Pontes.

Në momentin kur ndërkombëtarët kanë filluar të japin vlerësime pozitive për shqiptarët, kur jemi ftuar për t'u bërë anëtarë me të drejta të plota të Aleancës së NATO-s, kur po bëhen përpjekje për lëvizjen e lirë të shqiptarëve, kur Kosova është shpallur e pavarur, Carla Del Ponte nëpërmjet tymnajës së saj, nuk mjaftohet se " janë vrarë serbë" por me sa duket, nëpërmjet kësaj sajese kërkon të bëhet "best seller" duke shpifur për shqiptarët, kur thotë se "në Burrel, serbët vriteshin për t'u bërë transplant organesh".

Për hir të së vërtetës, nuk doja ta besoja atë që kishte shkruar ish-Kryeprokurorja e Hagës, gjersa një miku im gazetar britanik më dërgoi me e-mail pjesë nga libri i saj. Nuk doja ta besoja, për faktin se gjatë kohës që unë punoja në Ministrinë e Jashtme dhe në Prokurorinë e Përgjithshme, kur unë isha takuar me Carla Del Ponten të jepte përshtypjen se vërtetë ishte e përkushtuar në luftën kundër kriminelëve të luftës, madje, dukej se "gjahu i saj ishte pa dallim kombësie". Në këtë kuadër jemi takuar me znj.Del Ponte, së bashku me ish-Prokurorin e Përgjithshëm, zotin Sollaku, madje biseda rreth çështjes nëse ishin vrarë serbë në territorin shqiptar, ka vazhduar edhe gjatë drekës së punës.

Në këtë kuadër, Carla Del Ponte i ka bërë të ditur Prokurorit të Përgjithshëm se kishte informacion për disa varre të serbeve të vrarë në Veri të Shqipërisë, ku në "koenfidencë" ka theksuar edhe emrin "Bulel" (Burrel). Sollaku i është përgjigjur se nuk kishte informacion të tillë, por ishte i gatshëm t'i ofronte çdo lloj ndihme me prokurorë dhe t'i krijonte të gjitha hapësirat për të verifikuar dhe hetuar nëse ky informacion ishte i saktë.

E vërteta dhe vetëm e vërteta është ajo që ka theksuar Prokurori i Matit, A.Dyla, i cili së bashku me prokurorët e Hagës kanë hetuar në këtë zonë (Gurre), madje edhe në disa zona të tjera, ku ka rezultuar se nuk kishte asnjë provë që të vërtetonte se kishte të vrarë serbë, aq më tepër të jenë kryer transplante organesh.

Për fat të keq, Carla del Ponte këtë radhë na shfaqet si një "gjahtare" ndaj dinjitetit të shqiptarëve, por që në fakt, pas gjithë përkushtimit të saj në luftën kundër kriminelëve, duket si një "lajthitje" që vetëm ajo mund ta shpjegojë.

Duke qenë se Carla Del Ponte ka heshtur gjatë gjithë kësaj periudhe, duhet që autoritetet shqiptare të reagojnë më fuqishëm, kjo për faktin se ky trillim mund të bëhet debat diskutimesh jo vetëm në Këshillin e Evropës por edhe në Bashkimin Europian.

Madje nuk duhet të habitemi nëse do të shikojmë nesër gazetarë dhe kameramanë të stacioneve të huaja televizive të vërshojnë drejt kullës së fshatit Gurrë, në Burrel, për të hulumtuar për ato që ka shkruar Del Ponte. Do të ishte një skenar i bukur për një libër tjetër apo film, nëse do të ftonin edhe Carla Del Ponten dhe fshatarët e zonës ta shikonin atë duke gërmuar dhe t'i kujtonin shprehjen: "Gërmo Carla, gërmo, se aty do të gjesh qenin e ngordhur të fshatit"!

Nuk dëshiroj të abuzoj se kush e ka shtyrë të shkruajë një libër të tillë Carla del Ponten, por Ajo duhet të kuptojë se nuk është kohë për të fituar çmim me shqiptarët. Carla Del Ponte duhet të kuptojë se tani ka filluar një epokë e re për shqiptarët, për Kosovën dhe për Ballkanin në tërësi.

*Autori është ish-zëdhënës i Prokurorisë së Përgjithshme

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›