E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delegacioni i NATO-s: Shqipëria progres drejt BE-së

Anëtarë të komisionit të marrëdhënieve transatlantike të Asamblesë me përfaqësues nga Italia, Franca, Britania, Spanja, Portugalia, Polonia etj, të kryesuar nga z. Sergio De Gregorio, po zhvillojnë sot një vizitë në Tiranë, gjatë së cilës po takohen me autoritetet më të larta të vendit.

Në bisedë me kryetaren e Kuvendit ata vlerësuan hapat e mëdha të Shqipërisë dhe mbështetja e plotë në përshpejtimin e proceseve integruese. "Jam shumë e kënaqur për intensifikimin e shkëmbimeve mes Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe Parlamentit shqiptar. Mbështetja e qeverive tuaja për arritjen e ngjarjes historike të anëtarësimit në NATO ka qenë shumë e rëndësishme dhe ne shpresojmë në integrimin e afërt të të gjitha vendeve të rajonit në NATO", theksoi znj. Topalli.

"Edhe pse politika e NATO-s, nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë me procesin e integrimit në BE, do t'u ishim mirënjohës qeverive tuaja edhe për mbështetjen për liberalizimin e vizave, e po ashtu edhe për statusin e vendit kandidat", iu drejtua kryeparlamentarja zyrtarëve të NATO-s. Anëtarët e delegacionit garantuan se do ua përcjellin këtë apel të saj, qeverive të tyre, të cilat, siç thanë ata, po rrisin gjithnjë e më shumë mbështetjen për Shqipërinë, falë progresit në reforma.

Biseda u ndal edhe në zgjedhjet e fundit në Shqipëri, ku disa prej përfaqësuesve të delegacionit ishin pjesë e vëzhguesve që ndoqën nga afër procesin elektoral. Ata u shprehën se ishin dëshmitarë, se "ky proces u realizua më së miri, gjë që u theksua nga të gjithë ndërkombëtarët". "Nga këto zgjedhje dolën institucionet legjitime, Qeveria dhe Parlamenti dhe jemi të habitur nga disa kundërshtime që vijnë nga opozita. Ne vlerësojmë seriozitetin dhe angazhimin tuaj.”

Nga ana e saj, kryetarja Topalli theksoi se "arritja e standardeve në zgjedhjet e 28 qershorit, ishte fitorja e madhe e Shqipërisë. Jam shumë e kënaqur që deputetët e opozitës erdhën në parlament në respekt të mandadit të tyre dhe të Kushtetutës së vendit". Duke shprehur interesin për thellimin e bashkëpunimit konkret me Parlamentin e Shqipërisë, anëtarët e delegacionit të NATO-s, theksuan se “Shqipëria duhet të jetë optimiste se, jo vetëm liberalizmin i vizave do realizohet së shpejti, por edhe anëtarësimin në BE do të jetë i afërt."

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›