E Diel, 1 Nëntor 2026

Delijorgji, i kënaqur me kryeministrin dhe Mediun

Antena brenda familjes

Biznesmeni tashmë i famshëm greko-shqiptar, Mihal Delijorgji, dje ka mundur të nxjerrë një letër nga burgu dhe ta dërgojë në disa redaksi. Letra, e shkruar mençurisht, prekte gjithë problemet, me të cilat është ndeshur dosja ‘Gërdeci’ me opinionin publik.

Së pari, letra ishte një dëshmi e qartë se cilat janë palët në këtë konflikt. Delijorgji ishte treguar i sinqertë dhe ia kishte dërguar letrën presidentit, kryeprokurores dhe medias, të cilat i konsideronte palë. Ai rreshtonte një sërë ankesash ndaj tyre dhe shprehte bindjen e tij se dhe gjykatat nën drejtimin e Kreshnik Spahiut janë të varura dhe të padrejta.

Së dyti, binte në sy se Delijorgji nuk kishte asnjë vërejtje për kryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. As iu qe drejtuar atyre fare me letër dhe as kishte ndonjë problem që mund t’ia zgjidhnin ata.

Së treti, sqaronte se nuk ka pasur lidhje me politikanë dhe të afërm të tyre. Kjo e bën pak të pabesueshme letrën, pasi një biznesmen, që gjithë biznesin e tij e ka ngritur në mënyrë të tillë që të ketë punë me Ministrinë e Mbrojtjes, e ka të pamundur të shmangë lidhjet me politikanë, pasi ajo është ministria më e vështirë për t’iu hapur portat, po nuk ke akses politik. Pastaj, puna e të afërmve të politikanëve nuk ka pse e shqetëson Delijorgjin. Baxhanaku i Sali Berishës, i vrarë në krye të detyrës, nuk besojmë se ka qenë një klandestin që kishte hyrë aty fshehurazi dhe të vidhte ndonjë fishek. Ai ka qenë i punësuar dhe i pasiguruar si gjithë të tjerët. Ne jemi të qartë se Sali Berisha nuk ka marrë Delijorgjin për të futur në punë baxhanakun, por djali i tij mund ta ketë bërë këtë normalisht, pasi e ka pasur burrin e tezes dhe ka detyrime ndaj tij. Dhe, meqë jemi këtu, të gjithë i njohim biznesmenët shqiptarë se si sillen me pushtetin. Nëse dikush të prezanton me baxhanakun e kryeministrit, e ke shumë të vështirë ta vësh të mbajë arka, siç thoshte në një intervistë kunata e të ndjerit. Ai nuk ka pas mbajtur arka me fishekë së paku. Kështu që Delijorgji nxitohet kot në këtë punën e lidhjeve me politikën.

Por, sidoqoftë, letra e tij tregon shumë në këto momente. Tregon në radhë të parë se cilat janë palët në këtë konflikt. Dhe ato janë Delijorgji, Mediu dhe Berisha në një anë dhe gjyqësori, prokuroria, presidenti në anën tjetër.

Letra tregon po ashtu se Delijorgji ndjehet i sigurt. Me llogaritë që bëjnë avokatët e tij, ai ka për të marrë një dënim nja 5 vjet, me shkurtim 3 vjet, me ndonjë falje dy vjet dhe mbaron gjithçka. Shteti ia ka bërë nderin, pasi i ka lënë një javë kohë të zhdukë paratë dhe gjurmët e pasurive pas tragjedisë së Gërdecit. Investimet e tij në ndërtim, ortakëri me njerëz afër kryeministrit dhe gjithçka tjetër janë të lira për t’u zhvilluar më tej.

Siç dihet, ky mbiemër na kujton një Hero të Punës Socialiste, Dhimitër Delijorgjin, që ka pas punuar për llogari të vitit 2010 që në vitet tetëdhjetë. Pasardhësi i tij, Mihali, me aq pará sa ka bërë nga Gërdeci, në fakt ka qenë duke punuar për vitin 2040. Për këtë arsye letra e tij e hapur ishte qortuese dhe iu drejtohej njerëzve që nuk e kuptojnë mirë se me kë kanë të bëjnë. E vetmja gjë joaktuale ishte që nuk ishte marrë më shumë me konfliktin Alibeaj-Spahiu, të na e kishte sqaruar dhe atë punë mirë, kush ka më shumë faj dhe të rrinim të qetë, se për Gërdecin e dimë që s’ka faj.

Kur e lexoi letrën, Flamur Noka u skuq në fytyrë dhe turfulloi.

- ǒt’i bëj atij burrit unë, që më tha t’i merrja lekët për fushatë më 2007, se ia kisha treguar unë qejfin këtij tani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›