E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosjet dhe pastrimi i shoqërisë nga sigurimsat

Instituti për Hetimin e Krimeve të Komunizmit në Rumani është krijuar më 21 dhjetor 2005 me një vendim të qeverisë rumune. Ky institut nuk varet as nga akademia e as universiteti. Ky institut materializon një ide, të cilën e kam mbrojtur që në mes të viteve ‘90. Pas ngjarjeve të dhjetorit të 1989, ndjenja antikomuniste ishte mjaft e fortë te popullata. Klasa politike premtoi të zhvillojë një proces ndaj komunizmit, gjë që nuk ndodhi. Pak nga pak është bërë e qartë se ata që u ngjitën në pushtet në Rumani në 1990, kanë organizuar në fakt një grusht shteti kundër revolucionit antikomunist. Ne kemi asistuar në krijimin e një Sigurimi të ri, ish-policia politike, që ka krijuar një mekanizëm ekonomik të individëve që vijnë nga ish-nomenklatura. Kështu, një oligarki e re dhe shumë e fuqishme u ngjit në pushtet përmes një procesi që e kam quajtur “privatizimi i komunizmit”. Pas 1989 ish-ët e Sigurimit dhe të Partisë Komuniste ruajnë poste kyçe. Në këtë kontekst nuk është më në diskutim çështja e një procesi ndaj komunizmit. Ndonëse unë jam diplomuar në arkeologji, më është dashur të specializohem në historinë bashkëkohore dhe të përgatis një tezë për doktoraturë për rolin e policisë politike gjatë periudhës së Geroge Georgiu Dej, d.m.th., para 1965. Paradoksalisht, bash kjo rrugë ishte e mirë, sepse portat e institutit të kërkimit dhe të universitetit nuk m’u hapën. Zbulova kështu se ish-Sigurimi dhe Partia Komuniste kishin zaptuar universitetin rumun. Strukturat e kësaj oligarkie kanë krijuar një institut të censuruar për të studiuar totalitarizmin, të drejtuar nga një përfaqësues i partisë, Rumania e Madhe, një parti ekstremiste me origjinë komuniste. Një gjë e tillë ka ngjarë në 1996, kur Konventa Demokratike fitoi zgjedhjet. Gjërat duket se morën një drejtim të mirë, sidomos pas verës së1997, kur presidenti Emil Kostandinesku i kërkoi falje popullit për krimet e regjimit komunist. Fatkeqësisht, mbeti në nivel deklarativ.

Nuk pati asnjë dënim të sigurimsave dhe udhëheqësve komunistë. Në 2000, kur ish-komunistët u kthyen në pushtet, u bë e domosdoshme të menduarit për një proces ndaj komunizmit. Gjatë kësaj periudhe unë nuk kam reshtur së shkruari artikuj dhe libra për të mbajtur të zgjuar vëmendjen e publikut mbi krimet e komunizmit. Kam pasur gjatë këtyre viteve qindra kërcënime për të më trembur. Ato përgjithësisht inicioheshin nga ish-informatorët e Sigurimit që unë kisha zbuluar. Në fund të 2000 Ion Iliesku u bë president i republikës dhe Adrian Nastase u emërua kryeministër, kërcënimet ndaj atyre që kërkonin të dilnin të vërtetat për komunizmin u rënduan. Gjatë këtyre viteve, pa mbështetjen e shtypit dhe të intelektualëve të rëndësishëm, veprimi ynë do të mbetej i izoluar. Në 2002, pati tri padi gjyqësore ndaj meje: donin të më detyronin të paguaja 2 milionë euro. Gjithmonë në 2002, kryeministri kërkoi të më dënonin si autor i dosjes së publikuar në shtyp me pseudonimin Armagedon.

Zbulime

Problemet sa vinin dhe bëheshin me të rënda, sepse unë nuk kënaqesha vetëm me studime historike, por kërkoja të ndiqja karrierën post-1989 të atyre që studioja.

Zbulova se këshilltari për Sigurinë Kombëtare i kryeministrit Nastase kishte qenë një nga hetuesit më brutalë të Sigurimit. Emri i tij është Ristea Priboi. Gjeta po ashtu se shefi i njërit prej shërbimeve sekrete të Rumanisë, Marin Ureche, ishte i implikuar në veprime shumë të rënda të policisë politike.

Zbulova se disa persona që kishin funksione drejtorësh në disa ministri kishin pasur më parë funksione të rëndësishme në strukturat e Sigurimit.

Vura në dukje se në 1993 gjashtëmbëdhjetë atashe tregtarë të dërguar në ambasadat rumune jashtë vinin nga Sigurimi. Pak nga pak, konstatova që pak gjëra kishin ndryshuar në raport me para 1989, vetëm se ata që qeverisnin e bënin jo më në emër të komunizmit, por të demokracisë. 60% e personave të përmendur në faqen në internet të kryeministrit Nastase e kishin bërë biografinë e tyre sikur fillonte në 1990..... Gjë që më bëri të them se ne qeverisemi nga adoleshentë... Sigurisht, unë do të kisha preferuar të qeveriseshim nga adoleshentë, por ky nuk ishte rasti, ne ishim të qeverisur nga njerëz që kishin elemente biografike të rëndësishme për t’u fshehur. Denoncimi i krimeve të Sigurimit mbetet pa aktualitet në këtë fillim shekulli të 21. Praktikisht, duke studiuar ish-aktivistët komunistë apo Sigurimin, ne mund të ndjekim gjurmën dhe të dimë ku janë ata sot.

Si do të funksionojë ky institut?

Instituti për Investigimin e Krimeve të Komunizmit nuk do të jetë një institut historie. Ai do të përpiqet me mjetet e tij specifike të bëjë të bashkëjetojnë në të njëjtën shtëpi morali dhe politika, sepse në 2006, në të gjitha partitë politike rumune janë aktivistët e Partisë Komuniste dhe të Sigurimit që dominojnë. Ky institut kërkon të organizojë bazat e të dhënave të ish-aktivistëve të Partisë Komuniste, Sigurimit, policisë, magjistraturës, që kanë kontribuar në represionin ndaj njerëzve. Emrat e tyre dhe veprimet e tyre do të publikohen në një raport të përvitshëm

Në suazën e këtij instituti një shërbim juridik do të konstituojë dosjet mbi secilin nga këto raste, të cilat do t’i dërgohen menjëherë prokurorit. Ne jemi pjesë e idesë se ata kanë vepruar kundër rumunëve me mjetet e terrorit dhe se terrorizmi shtetëror është një krim i papërshkrueshëm. Komunizmi nuk është vetëm një regjim kriminal, por edhe një regjim që ka praktikuar terrorizmin shtetëror. Krimi mund të jetë aksidental, por regjimi komunist e ka organizuar në sistem.

Ai ka organizuar abuzimet dhe dhunën në mënyrë shkencore. Që prej fillimit e deri në fund komunizmi është shfaqur si një regjim pushtues që përdori terrorin ndaj atyre që pushtoi. Unë mendoj se procesi i dekomunistizimit është përsosmërisht legjitim dhe që është i ngjashëm me atë të denazifikimit. Kodi Penal rumun e parashikon me sanksione “inicimin dhe pjesëmarrjen në akte terroriste”. Njëherë ne do ta përdorim në avantazhin tonë anën e ligjit. Sipas llogarive tona, sot ka 10 mijë ish-aktivistë të Partisë Komuniste dhe Sigurimit. Ne do të merremi me ata që ishin anëtarë të nomenklaturës. Ne nuk do të bëjmë gabimin për të nisur me informatorët dhe të interesohemi më vonë për kuadrot. Ne do të shenjojmë anëtarët e Komitetit Qendror, oficerët e Sigurimit, kuadrot rajonalë, kuadrot sipërorë të policisë dhe magjistratët që kanë marrë pjesë në proceset politike. Ne do të përdorim veçanërisht seri televizive për të bërë të njohur të kaluarën e përgjegjësve. Veç kësaj do të publikojmë studime në lidhje me funksionimin e strukturave të ndërmjetme të partisë, por ne do të bëjmë dosje penale vetëm në rastin kur një person është përndjekur.

Instituti do të funksionojë për një periudhë 6-vjeçare, deri në vitin 2011. Ai do të publikojë raporte trimujore dhe të përvitshme. Ne mendojmë se gjashtë vjet janë një periudhë e mjaftueshme për të gjetur atë që kërkojmë, me kusht që të kemi akses në arkiva. Si këshilltar i kryeministrit dhe president i këtij instituti, unë kam nxituar të hap një proces kundër ministrit të Brendshëm….. Janë ata që më kanë mësuar se si bëhet një proces. Përtej shakasë, ekzistojë disa çelësa për të hapur arkivat. Në fillim, statuti i institutit, që gjendet nën tutelën e qeverisë. Një institucion i qeverisë nuk mund të bllokohet nga një strukturë e qeverisë. Është kryeministri ai që ndërhyn në rast konfliktesh dhe është ai që e ka krijuar këtë institut. Mund të mendohet se, në rast të ndryshimit të qeverisë, ky institut do të zhduket, por unë mund t’ju them se kjo nuk do të ndodhë. Instituti ka personalitete shumë të njohura të jetës intelektuale rumune dhe unë nuk shoh ndonjë kryeministër që do të guxonte t’i deklaronte luftë gjithë këtyre emrave prestigjiozë.

Një ndryshim qeverie mund të përkthehej si tentativë për bllokim. Nëse Bashkimi Evropian nuk dëshiron të ketë të bëjë me përfaqësues rumunë të korruptuar dhe që vijnë nga Sigurimi, ai ka interes të na mbështesë. Në të vërtetë, nëse kjo oligarki komuniste dhe e Sigurimit vazhdon të veprojë në Rumani, korrupsioni i nivelit të lartë do të jetë produkti kryesor i eksportit. Burokratët tanë, që vijnë nga strukturat komuniste, mund t’i mësojnë shumë mirë ata të Brukselit se si të vjedhin.

Kërcënimet

Për të mbaruar, dua t’iu them me ton besimi ndaj atij që më ka caktuar ta nis këtë përpjekje. Ndoshta do të isha i kënaqur të shkruaja artikuj apo libra pa shkuar deri në implikimin në strukturë, që ngjan me atë të Simon Wiesenthal në Vjenë, nëse në muajin maj 2005 unë nuk do të kisha jetuar momentet më të tmerrshme të jetës sime. Gruaja ime lindi në dhjetor të 2004 një djalë, të cilin ne e prisnim prej shumë kohësh. Shumëkush më thoshte se kur të isha baba, unë do të qetësohesha; mes tyre Vladimir Bukovsky, më i binduri, dhe më ka thënë që unë do të veproja më qetësisht. Nuk reflektova për këtë gjë deri në maj 2005. Teksa shëtisja fëmijën tim në rrugë, më kapën dhe më thanë se, nëse nuk do të qetësohesha, fëmija mund të zhdukej. Ishte pasojë e një hetimi shumë pak diskret që individë të caktuar kishin bërë për mua. Kuptova se kërcënimet vinin nga sfera e shërbimeve sekrete rumune.

Përkundër një presidenti të ri, Traian Basescu dhe një qeverie të dalë nga aleanca Drejtësi dhe Vërtetësi, dukej se asgjë nuk kishte ndryshuar. Më në fund, kuptova se kërcënimet vinin nga një grup oficerësh që kishin frikë, ngaqë unë drejtoja këtë institut. Frika e tyre ishte e justifikuar, sepse unë disponoja informacione mbi korrupsionin në shërbimet sekrete. Kisha bërë publike informacione në lidhje me marrëveshjet mes shërbimeve sekrete dhe mafies.

Pyeta veten se ç’duhet të bëja dhe dërgova gruan në Gjermani për dy muaj. Gjatë këtij intervali, përgatita dokumentet për krijimin e këtij instituti nga qeveria. Fatlumnisht, gjeta mbështetjen e nevojshme nga qeveria. Kryeministri veç kësaj më emëroi këshilltar për Çështje të Sigurisë Kombëtare. Në këtë cilësi, unë jam numri 2 i organigramës së komunitetit rumun të shërbimit të fshehtë, një strukturë që grupon të gjitha shërbimet e vendit.

Paradoksalisht, një kërcënim çoi në këtë drejtim. Dua t’ju them që të përkiturit e një bote, të cilën unë e kam kritikuar, më ka vënë në një gjendje, ku nuk shkruaj, por mos besoni se unë kërkoj miqësinë e tyre, nuk ua kam nevojën.

Së fundi, krimet e komunizmit nuk janë në rend të ditës në Bessarabi (Republika e Moldavisë). Gjendja atje është si në Rumani, në 1990.

Shoferët e taksive në kryeqytetin moldav janë pothuajse të gjithë informatorë të policisë politike. Nëse flet për çështjen e shërbimeve të shtypjes, njerëzit shohin sikur vjen nga një planet tjetër. Kur ndjehem i dëshpëruar në Bukuresht, sepse shoh që gjërat nuk ecin aq shpejt, bëj një udhëtim në Kishinau... Shpresoj që gjendja të ndryshojë shpejt në Moldavi.

*Marius Oprea, Drejtor i Institutit për Hetimin e Krimeve të Regjimit Komunist rumun

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›