E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delijorgji mbrohet me precedentin Meta

Nga gjyqi i Gërdecit

Mihal Delijorgji, një nga të akuzuarit kryesorë të dosjes Gërdeci në Gjykatën e Tiranës, mbrohet me strategjinë e përdorur nga ish-zv.kryeministri Ilir Meta në Gjykatën e Lartë.Precedenti është vendimi i ndërmjetëm i Gjykatës së Lartë i datës 11 korrik 2011, që hodhi poshtë ekspertimet e përpiluara nga dy specialistë të huaj mbi videoregjistrimin Meta-Prifti, për shkak se ata nuk ishin përcaktuar siç e kërkon ligji dhe procedura. Gjykata e Lartë, pasi rrëzoi ekspertimet, vendosi ti përsërisë ato. Në seancën e djeshme të dosjes Gërdeci, mbrojtësi i biznesmenit Delijorgji, avokati Gëzim Veleshnja, pretendoi se edhe në rastin e ekspertizës për Gërdecin nuk ishin zbatuar kriteret e duhura ligjore dhe se rastet kanë ngjashmëri, pasi bëhet fjalë për specialistë të huaj në dy ekspertizat. Pasi citoi pjesën argumentuese të vendimit të ndërmjetëm të dosjes Meta në Gjykatën e Lartë, avokati kërkoi ribërjen e ekspertimit për shkakun e shpërthimit tragjik të Gërdecit. Ky vendim ka konfirmuar edhe një herë qëndrimin se ekspertët e huaj të thirrur nga akuza, jo vetëm që kanë bërë një akt ekspertimi pa asnjë lloj vlere shkencore, e për pasojë edhe ligjore, por thirrja e tyre është bërë në ndalim të parashikimeve ligjore, u shpreh avokati. Me tej ai shtoi: Ripërsëris kërkesën që ekspertimi për të zbuluar shkakun e shpërthimit duhet të ribëhet nga specialistë shkencëtarë të fushës, të cilët të marrin detyrën sipas parashikimeve ligjore. Ekspertiza e kundërshtuar është ajo që është kryer nga 6 ekspertë amerikanë në vendin e ngjarjes në Gërdec, e cila thekson se shpërthimi ka ndodhur nga mosrespektimi i kushteve të sigurisë. Dje, avokati i Delijorgjit kërkoi dërgimin e një letërporosie në Komandën e NATO-s në Bruksel. Më herët, avokati iu referua dëshmisë në proces të ish-kreut të Shërbimit Informativ Ushtarak në 2007-2008, Hysni Gjergji. Dëshmitari Gjergji pohonte në dëshmi njoftimin që kishte marrë në fund të vitit 2007, në një vizitë zyrtare në Bruksel, për rrezikun e ndonjë akti sabotazhi në Shqipëri, për shkak të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Duke pretenduar se shpërthimi i Gërdecit ishte provokuar nga një akt i tillë, avokati i kërkoi dje gjykatës që nëpërmjet një letërporosie të kërkohet nga Komanda e NATO-s në Bruksel në zyrën e NATO Office of Security (NOS) një informacion i detajuar në ketë drejtim. Po dje, avokati i Delijorgjit kërkoi që të kryhen ekspertime për mënyrën e administrimit të barutit dhe lëndëve plasëse; dëmin ekonomiko financiar; përcaktimin nëse saldimi i kryer nga karrocat që transporton barut është burim shpërthimi apo jo dhe në lidhje me shkakun e shpërthimit të 15 marsit 2008 në Gërdec. Në të njëjtën seancë, trupa gjykuese u përball dhe me kërkesën e mbrojtësit Veleshnja për kryerjen e një eksperimenti hetimor për të përjashtuar ose jo mundësinë që saldimi i karrocave të transportit të barutit mund të jetë shkak i shpërthimit.

Prokuroria

Përfaqësuesit e prokurorisë në seancë i kundërshtuan dje pretendimet e avokatit Veleshnja në lidhje me parregullsinë ligjore të përzgjedhjes së ekspertëve të huaj në hetimet e Gërdecit. Sipas prokurorëve, vendimi i Gjykatës së Lartë, që u citua nga mbrojtësi, është një vendim i ndërmjetëm dhe jo një vendim unifikues. Në këtë mënyrë, sipas tyre, ky vendim nuk mund të jetë detyrues për gjykata të tjera.

Ish-ministrat

Tre ish-ministrat, Fatmir Mediu, Aldo Bumçi dhe Enkelejd Alibeaj nuk do të dëshmojnë në gjyqin e Gërdecit, ashtu si ishte kërkuar më parë nga i pandehuri Ndue Marku. Pa dhënë arsye, i pandehuri Ndue tha dje se hiqte dorë thirrja e tyre si dëshmitarë. Edhe avokati i të pandehurve Ardian Mullai dhe Shpëtim Spahiu hoqën dorë nga dëshmitarët që kishin kërkuar. Avokati Gëzim Veleshnja kërkoi dje thirrjen para gjykatës të punonjësve amerikanë të Gërdecit, përfshi edhe ish-administratorin Patrik Henry.

ARMAND BAJRAMI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›