Dell: Strukturat paralele, sfidë për veriun e Kosovës

Një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se pavarësisë së mbikëqyrur nga ndërkombëtarët po i vjen fundi, një gjë të tillë e konfirmuan edhe Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell dhe shefi i ICO-së, Pieter Feith.
Përfaqësuesit ndërkombëtar në vendin tonë këtë konfirmim e dhanë gjatë konferencës me temën “Sukseset dhe sfidat e komunave të reja të Kosovës”.
Nga të pranishmit u tha se sfidë e madhe për këto komuna mbeten strukturat paralele të krijuara nëpër komuna. Gjithashtu u përshëndet përkushtimi i Qeverisë për ta themeluar zyrën e re në veriun e Mitrovicës.
Me këtë rast Ambasadori Dell u tha përfaqësuesve të komunave se me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, ata duhet t`i përvjelin mëngët, pasi që përgjegjësia mbi supet e tyre do të jetë më e madhe.
Ndërsa Shefi i ICO-së, Piter Feith ka thënë me këtë rast se është e qartë se sfida më e madhe në procesin e decentralizimit mbetet krijimi i komunës së re në veri të Mitrovicës, duke e mbështetur vendimin e qeverisë për hapjen e zyrës administrative për atë pjesë të vendit.