Delvinë/ H.Alinani fermeri 66 vjeçar që kultivon 1500 rrënjë ullinj

Harillaq Alinani është fermeri 66 vjeçar nga qyteti i Delvinës, i cili që në moshën 22 vjeçare nga pasioni për bujqësinë, vendosi të merret me kultivimin e ullinjve. Ai ka zgjedhur të ushtrojë profesionin e agronomit dhe kujdeset tashmë për rreth 1500 rrënjë ullinj, të mbjellë në 2 hektar tokë. Ai tregon për Rtsh Gjirokastra, vështirësitë e punës pasi ullinjtë duan një kujdes të veçantë.Alinani thotë se llojet e ullinjve, që ai kultivon janë të ndryshëm, ndërsa mendon , që këtë biznes ta zgjerojë.
“Që në moshën 22 vjeçare fillova të merrem me bujqësinë. Tani kam rreth 2 hektarë tokë,të mbjellë me ullinj. Ullinjtë janë nga fara spanjolle, italiane e greke. Vendosa që të merrem me këtë kulturë , sepse e kisha pasion. Zona e Delvinës favorizon shumë këtë kulturë bujqësore. Ulliri do shumë përkujdesje, por që në vitin e parë mora 12 litra vaj, vitin e dytë 57, vitin e tretë 1 ton dhe sivjet, në vitin e pestë, 1 ton e 400 litra.
Patjetër që është i vështirë ky zanat. Problemi më i madh, është mungesa e ujit. Proçesi i ullirit është në rradhë të parë vjelja, pas vjeljes vjen krahasitja, duhet të bësh dy spërkatje, në dimër dhe tre në behar. Vaditja dhe mbledhja, janë proçeset ,që kanë vështirësi dhe nuk janë të lehta. Është bukur është të merresh me ullirin, por vetëm se nuk e ke të garantuar vit për vit.
Punësojmë edhe puntorë sezoni gjatë kësaj periudhe e tani kemi 12 puntorë sezonalë. Tani kemi rreth 1500 rrënjë ullinj. Dua t’a zgjeroj këtë culture, dua të mbjell edhe një hektar tjetër me ullinj. Këtë zanat po e trashëgoj edhe tek djali im. E vazhdon edhe ai me shumë pasion. Dy vitet e fundit është marrë ai me ullinjtë. Fshati Rustan mund të ketë më shumë se 15 mijë rrënjë ullinj dhe të gjitha tokat punohen kryesisht nga të rinjtë, që e shikojnë bujqësinë si një persektivë”, shprehet Alinani.