Demaçi: Për ata që ishin më të mirë se ne
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi shfrytëzoi plot tri përvjetorë, 134-vjetori i Lidhjes së Prizrenit, 13-vjetori i çlirimit të Kosovës dhe 100-vjetori i Pavarësisë për tu shprehur mirënjohjen disa personaliteteve, aktivistëve dhe dëshmorëve të çështjes kombëtare të Kosovës.
Disa ishin të pranishëm, të tjerë që i marrin urdhrat e dekoratat pas vdekjes, u përfaqësuan nga familjarët. Kreu i shtetit i klasifikon veprat e këtyre individëve si kontribute jetësore, akte të kurajës së jashtëzakonshme dhe vepra të mëdha që ata kanë bërë për vendin e që të gjitha bashkë, bëjnë një trashëgimi që meriton të njihet dhe të çmohet nga shoqëritë tona dhe shtetet shqiptare.
Me Urdhrin e Flamurit Kombëtar dekorohet (Pas vdekjes) Adem Jashari simbol i luftës së pashuar për liri dhe të drejta kombëtare. Me Medaljen e Artë të Shqiponjës nderohen (Pas vdekjes) për qëndresën dhe papajtueshmërinë me politikat shoviniste antishqiptare dhe persekutimin e egër të shtetit serbomadh në ish-Jugosllavi, Ramiz Cernica; Omer Çerkezi dhe Gjon Serreçi si luftëtarë antifashistë; Kadri Halimi, veprimtar në mbrojtje të të drejtave të popullsisë shqiptare të Kosovës për vetëvendosje dhe pavarësi; Ali Aliu shembull frymëzimi për brezat e rinj; Sami Peja veprimtar për pavarësinë; Metush Krasniqi, Hyrije Hana, Fehmi e Xhevë Lladrovci për qëndresë; Zija Shemsiu si organizator heroik i rezistencës së studentëve; Rexhep Mala për rezistencën e pandërprerë dhe heroike; Fazli Greiçevci si intelektual i angazhuar; Xhavit Hariri për pjesëmarrje aktive në luftë për çështjen kombëtare; Afrim Zhitia (Pas vdekjes) për rezistencën kundër shtypjes së të drejtave kombëtare; Ukshin Hoti si intelektual i angazhuar atdhetar, luftëtar dhe organizator i rezistencës për të drejtat kombëtare dhe njerëzore të popullit shqiptar të Kosovës.
Me Urdhrin Mjeshtër i Madh Presidenti Topi dekoroi rapsodin Dervish Shaqja (Pas vdekjes) dhe me Naim Frashëri i Artë, Sulejman Krasniqin si shkrimtar që lëvroi në veprat e tij temën atdhetare.
Veçanërisht prania e Adem Demaçit e ka nderuar ceremoninë. Atij iu dha Urdhri Nderi i Kombit për angazhimin intelektual e militant që e shndërroi në simbol të qëndresës për liri dhe pavarësi, ndaj represionit të egër antishqiptar të shtetit shovinist.
Nga fjala përshëndetëse e Demaçit që përfaqësonte zërin e gjithë të munguarve në këtë ceremoni, erdhi ky emocion: Kam në zemrën time plagë të shumta për të gjithë ata, të cilët ishin më të mirë se ne. Ne na deshi fati. Ne që kemi merita më të vogla, më të pakta që nuk na deshi vdekja që ne tani të flasim e të gëzojmë ato çfarë ata me gjakun e tyre mbollën, me shpirtin e tyre bënë Shqipërinë tonë, Atdheun tonë, gjithë hapësirën shqiptare të pavdekshme dhe na hapën rrugën që të mund të zëmë vendin tonë atje ku na pret bota sa shekuj. E paguam me çmimin më të lartë, më shumë se të gjithë popujt e tjerë të Europës lirinë tonë, por jemi popull që ndihmuam për lirinë e shumë popujve të tjerë burrërisht e fisnikërisht. Jemi popull, i cili fal më shumë, por nuk duhet të jemi një popull që harron.
Një pjesë e mirë e këtyre emrave i ishin propozuar Presidencës së Shqipërisë nga Shoqata e të Burgosurve Politikë në Kosovë e cila i ka menduar të lartpërmendurit si më përfaqësuesit e qëndrestarëve për çështjet e Kosovës së pas Luftës së Dytë Botërore, e të Kosovës së re.