Dëme në sheshin “Skënderbej” gjatë protestës, gurë dhe molotovë ndaj policisë dhe institucioneve

TIRANË, 24 tetor/ATSH/ Përplasje, incidente dhe dëme u regjistruan sot në sheshin “Skënderbej” gjatë protestës së 12-të në Tiranë me kërkesên për largimin e klasës aktuale politike dhe dorëheqjen e qeverisë.
Protestuesit kanë hedhur bomba molotov, fishekzjarre dhe gurë ndaj policisë.
Gjatë këtyre përplasjeve raportohet se një efektiv policie ka marrë flakë, ndërsa kolegët e tij kanë ndërhyrë për t’i shuar flakët dhe për t’i ardhur në ndihmë.
Protestuesit hodhën shishe me benzinë në drejtim të Ministrisë së Bujqësisë dhe Bashkisë së Tiranë duke marrë flakë hyrjet kryesore të institucioneve, por që u vunë nën kontroll nga zjarrfikësit.
Përplasja vijoi për më shumë se tri orë pasditen e sotme në sheshin “Skënderbej”, ku protestues të rinj të maskuar, disa nga të cilët ishin të pajisur me shkopinj, u përplasën me efektivët e policisë.
Policia iu kundërpërgjigj akteve të dhunës me ujë dhe gaz lotësjellës.
Pati edhe nga ata protesues të cilët edhe gjatë ditës së sotme hoqën gurë nga sheshi “Skënderbej”, sikurse në bulevard, dhe gjuajtën në drejtim të policisë.
Lëndët piroteknike shkaktuan disa vatra zjarri në shesh.
Po ashtu, gjatë këtyre përplasjeve protestuesit hodhën edhe një mori fishekzjarresh dhe lëndë piroteknike ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit.
Përdorimi i molotovëve nga protestuesit dhe gazit lotsjellës nga policia ka shoqëruar përplasjet në disa zona të kryeqytetit, ndërsa forcat e Policisë ishin të angazhuara për menaxhimin e situatës.
Përplasjet gjatë protestës në Tiranë vijuan edhe pranë Parlamentit, ku protestuesit e grumbulluar në rrugën “George W. Bush” hodhën një breshëri fishekzjarresh dhe molotovësh në drejtim të forcave të Policisë.
Protestuesit përdorën edhe lazerë për të shpërqendruar efektivët, ndërsa Policia nuk i lejoi ata t’i afroheshin godinës së Parlamentit.
Protestuesit ishin të ndarë në disa grupe që lëviznin në zona të ndryshme të kryeqytetit. Gjatë protestës, ata u vunë zjarrin disa kazanëve mbeturinash dhe më pas i zhvendosën në mes të rrugës, duke penguar qarkullimin.
Nga ana tjetër, efektivët e Policisë përdorën gaz lotsjellës në përpjekje për të menaxhuar situatën.
Tensionet vijuan në disa zona të Tiranës, ndërsa protestuesit vazhduan lëvizjet në grupe dhe përplasjet me forcat e rendit.
Protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike në drejtim të selisë së Partisë Socialiste, ku është grumbulluar një numër i madh personash.
Situata u shoqërua me tensione dhe përplasje, ndërsa Policia ka përdorur gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë protestuesit dhe për të menaxhuar situatën.
Aktet e dhunës gjatë protestës në Tiranë kanë vijuar edhe në zona të tjera të kryeqytetit, ku protestuesit i kanë vënë flakën një kioske pranë Bankës së Shqipërisë, ngjitur me një stacion autobusi.
Ndërkohë, protestuesit u shpërndanë në disa rrugë të Tiranës, ku kanë djegur kosha mbeturinash dhe kanë hedhur fishekzjarre.
Incidente u regjistruan edhe në Rrugën e Durrësit, ku disa kosha mbeturinash u përfshinë nga flakët, ndërsa u hodhën një numër i madh fishekzjarresh.
Protestuesit vijuan me akte dhune ndaj bizneseve të Tiranës, ku thyen fasadën prej xhami të një dyqani të një operatori celular në rrugën “Vasil Shanto”. Ata përdorën barriera metalike dhe shufra hekuri për të goditur dhe thyer xhamat e dyqanit.
Ndërkohë, gjatë marshimit përgjatë Rrugës së Kavajës, protestuesit thyen edhe xhamat e një banke të nivelit të dytë.
Protesta e sotme; fotoreporter: Andrin Hoxha 1 nga 64/gj.m/r.e/