Demo në konferencën e FBINAA: Partneriteti ndërkombëtar, domosdoshmëri për luftën kundër krimit

“Partneriteti ndërkombëtar nuk është më vetëm një zgjedhje, është një domosdoshmëri e panegociueshme”.
Këtë deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, në konferencën e 42-të të FBINAA European Chapter, që po zhvillohet në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të FBI-së, institucioneve shqiptare të sigurisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Duke e cilësuar zhvillimin e konferencës në Tiranë si një dëshmi të forcimit të bashkëpunimit me SHBA-të, Demo vlerësoi kontributin amerikan në ngritjen dhe konsolidimin e institucioneve të reja të drejtësisë dhe ligjzbatimit në Shqipëri.
“Përzgjedhja e Shqipërisë për këtë takim kaq të rëndësishëm nuk është një rastësi. Është për ne një certifikim i progresit, që do të kishte qenë i pamundur pa SHBA-të në krahun tonë”, u shpreh ministri.
Ai solli në vëmendje rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar, duke theksuar se gjatë pesë viteve të fundit numri i skuadrave të përbashkëta hetimore është pesëfishuar.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, sipas tij, Policia e Shtetit zhvilloi mbi 100 operacione të përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë. Ministri nënvizoi se sfidat e sigurisë sot, nga krimi i organizuar dhe terrorizmi te krimi kibernetik dhe kërcënimet hibride, nuk njohin kufij dhe kërkojnë institucione profesionale dhe bashkëpunim të qëndrueshëm.
“Nuk ka vend për asnjë sekondë pushim.
Aq më pak vetëkënaqësi. Duhet të bëjmë edhe më shumë, edhe më mirë”, tha Demo, duke renditur ndër prioritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme forcimin e kapaciteteve për identifikimin dhe sekuestrimin e aseteve kriminale, modernizimin dhe dixhitalizimin e Policisë së Shtetit, si dhe rritjen e kapaciteteve për përballimin e krimit kibernetik dhe rreziqeve hibride.
Në fjalën e tij, ministri vlerësoi gjithashtu modelin “train-the-trainer” të promovuar në kuadër të konferencës së FBINAA, si një mënyrë për të shumëfishuar dijen dhe eksperiencën e përfituar nga partneriteti me FBI-në brenda strukturave shqiptare të sigurisë. Duke iu referuar 10-vjetorit të Reformës në Drejtësi, Demo tha se dekada e fundit ka hedhur themelet e një arkitekture të re institucionale dhe të një bashkëpunimi më të fortë mes Shqipërisë, SHBA-ve dhe partnerëve ndërkombëtarë, me një synim të qartë “që askush të mos jetë mbi ligjin dhe që shteti të jetë më i fortë se krimi.”