Demollari: Malta, një ndeshje e turpshmeIsh-kapiteni legjendar i Dinamos dhe ekipit Kombëtar gjatë një interviste për televizionin “Top Channel” pohoi se gabimi kryesor bie me teknikun holandez Ari Han.

Sulejman Demollari, trajneri i fundit shqiptar që ka drejtuar Kombëtaren (01.09.2001-17.04.2002) përpara se ajo të merrej në dorëzim nga italiani Xhuzepe Dosena, u shpreh shumë kritik ndaj përformancës zhgënjyese të përfaqësueses sonë në barazimin pa gol ndaj Maltës.
Ish-kapiteni legjendar i Dinamos dhe ekipit Kombëtar gjatë një interviste për televizionin “Top Channel” pohoi se gabimi kryesor bie me teknikun holandez Ari Han.
“Ishte me të vërtetë një ndeshje e turpshme. Sidomos pjesa e dytë. Ne gjithmonë e kemi pësuar nga këto ndeshje të quajtura të vogla. Këtu qëndron edhe roli i motivimit të trajnerit. Ana psikologjike që duhet të punoj ai, gjë që nuk u pa gjatë gjithë kohës”, - theksoi Demollari, i cili drejtoi skuadrën Kombëtare në nëntë ndeshje miqësore (1 fitore, 3 barazime, 5 humbje).
“Trajneri Han duhet të njohë ekipin apo të ketë informacionet e duhura për çdo kandidat për ekipin Kombëtar, për gjendjen e tyre optimale apo aktuale”, - përfundoi Demollari, i cili ka drejtuar Shqipërinë se bashku me Mirel Josën.
E Enjte, 12 Shkurt 2009