E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Dëmtimi i ujëmbledhësit në Sasaj, Tavo për ATSH-në: Po vlerësohen dëmet, bashkia do t’i gjendet pranë banorëve

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Bashkia e Himarës ka ngritur një strukturë për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga dëmtimi i ujëmbledhësit të hidrocentralit të fshatit Sasaj në zonën e Bunecit, ku u shkarkuan më shumë se 15 mijë m3 ujë.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo tha sot për ATSH-në se “grupi i ngritur nga bashkia po merret me vlerësimin e dëmeve në 12 strukturat e dëmtuara nga uji në fshatin Bunec, që funksionojnë gjatë verës”.

Tavo tha se “dëmtimi erdhi si pasojë e mbingarkesës së digës së liqenit, që është në funksion të hidrocentralit dhe që është në pronësi të një privati. Ky hidrocentral nuk ka qenë për disa kohë në punë”.

Kryebashkiaku Tavo u shpreh se “jemi në kontakt të vazhdueshëm me subjektin privat që menaxhon këtë hidrocentral, pasi edhe ata presin nga strukturat e bashkisë nxjerrjen e vlerës së dëmit për të folur për dëmshpërblim”.

Ai shtoi se “ekipet e bashkisë po punojnë ende për largimin e baltës nga ambientet e subjekteve të prekura”.

Tavo u shpreh se “bashkia Himarë është e përkushtuar dhe do t’i gjendet pranë banorëve për të kthyer në gjendjen e mëparshme zonën e dëmtuar, por dhe do të ofrojë ndihmesë brenda të gjitha mundësive që lejon ligji për dëmshpërblimet”.

Policia e Himarës njoftoi në datën 16 janar se në Bunec, Lukovë, dyshohej se ishte çarë diga e hidrocentralit. Hidrocentrali i fshatit Sasaj furnizohet me ujë nga burimi i lumit të Kalasë dhe prodhon energji elektrike për zonën bregdetare të Himarës. Nga dëmtimi i ujëmbledhësit nuk ka pasur dëme në njerëz, por u shkaktua vetëm bllokimi i rrugës nga balta, si dhe u dëmtuan 12 biznese në Bunec, të cilat funksionojnë gjatë verës.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›