E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Dëmtohet sinjalistika në Rrugën e Arbrit, problem tejkalimi i shpejtësisë

Është dëmtuar sinjalistika në Rrugën e Arbrit, në aksin pak metra larg aksidentit të ndodhur muaj më parë me pasojë humbjen e jetës së tre personave. Rregullorja e qarkullimit rrugor ka përcaktuar këtu edhe shpejtësinë e qarkullimit të mjeteve në limitet 40-60 km/orë, pasi aksi përmban edhe degëzime rrugësh dytësore.

Por drejtues automjetesh që qarkullojnë me shpejtësi mbi normën e lejuar, mbi 100 km/orë, kanë bërë që pa kaluar 24 orë, të dëmtohet sinjalistika e sapovendosur në këtë pjesë rrugë.

“Duhet të jemi të ndërgjegjshëm ne që të mos dëmtojnë tabelat. Ka shoferë të parregullt që i kanë prishur, firma i kishte vendosur shumë mirë”, u shpreh një qytetar.

Përfaqësues të firmës u bëjnë apel të gjithë drejtuesve të mjeteve që të zbatojnë treguesit e sinjalistikës rrugore kur qarkullojnë në segmentin nga Ura e Çerenecit deri në Maqellarë.

“I bëjmë thirrje shoferëve të jenë të kujdesshëm me sinjalistikën rrugore. Ne mundohemi ta rregullojmë dhe ta vëmë sinjalistikën rrugore për sigurinë, por disa shoferë të papërgjegjshëm e dëmtojnë”, tha një përfaqësues i firmës.

Drejtuesit e mjeteve kërkojnë dhe nga shërbimet e policisë rrugore të jenë prezentë me patrulla të herëpashershme në këtë segment të rrugës së Arbrit, për të këshilluar dhe ndëshkuar sipas ligjit shoferët që ecin me shpejtësi mbi normat e lejuara.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›