Mashtruan biznesmenin dhe tentuan t’i merrnin 35 mijë euro, 3 në pranga

Tre persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim këtë të premte, të akuzuar se tentuan të përfitonin një shumë të konsiderueshme parash nëpërmjet mashtrimit.
Policia bën me dije se në pranga kanë rënë A. R., 34 vjeç, banues në Librazhd, G. Ç., 41 vjeç, banues në Skrapar dhe Q. V., 22 vjeç, banues në Kukës, ndërsa në kërkim është shpallur F. Gj., 40 vjeç.
Këta persona, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë tentuar t’i marrin 35 mijë euro një biznesmeni, duke u prezantuar si zyrtarë të lartë të institucioneve, me emra të ndryshëm.
Organizator i kësaj skeme mashtrimi dyshohet se ishte 40-vjeçari me inicialet F.Gj, për të cilin policia ka nisur kërkimet me qëllim arrestimin e tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
/rtsh.al/