E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Denaj: 15 miliardë lekë pr/buxheti i 2025 për Bujqësinë, 7.3 miliardë për financimin e zhvillimit rural

TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj prezantoi sot në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin pr/buxhetin 2025 për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural.

“Në 10 vitet e fundit mbështetja e qeverisë dedikuar sektorit bujqësor ka bërë të mundur, të prekshëm dhe real zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit si dhe ruajtjen e dinamikës pozitive progresive të tij”, tha Denaj.

Sipas saj, sektori bujqësor është një prioritet i qeverisë, investimi në të cilin e ka kthyer një prioritet dhe oportunitet për fermerët dhe bujqit në mbarë vendin.

Ministrja theksoi se fokus i punës do vijoj të jetë bashkimi i fermerëve, duke synuar nxitjen e investimeve, uljen e kostove dhe rritjen e produktivitetit.

“Investimet për vitin që vjen, janë të fokusuara në sektor që ndihmojnë përmirësimin e  sigurisë ushqimore, infrastrukturën ujitëse dhe kulluese për objektivat dhe vizionin tonë “Bujqësia 2030””, tha Denaj.

Ajo vuri në dukje se, “buxheti i pritshëm 2024, përfshirë Aktin Normativ të fundvitit me shtesat në skemat e fermerëve, parashikohet 12% më i lartë krahasuar me buxhetin faktik 2023. Ndërsa investimet e brendshme në objekte në 2024, u rritën me mbi 10%.”

“Me Aktin Normativ të fund vitit, buxheti Bujqësisë për skemat e mbështetjes pritet të jetë 52 milion euro dhe në 2025 projektohet minimalisht 55 milion euro”, theksoi Denaj.

Ministrja deklaroi se, “Pr/buxheti 2025 arrin në 15 miliardë lekë, 4% më shumë krahasuar me buxhetin e vitit 2024. Ky buxhet do të mundësojë financimin e politikave për Zhvillimin e qëndrueshëm të Bujqësisë, Sigurinë Ushqimore, Zhvillimin e qëndrueshëm të Peshkimit dhe Ekonomisë Blu, Zhvillimin e kapaciteteve administrative dhe institucionale, Inovacionin dhe digjitalizimin.

Sipas saj, këto politika do të realizohen sipas 7 programeve buxhetor: “Së pari, mbështetja në bujqësi me 7.3 miliard të buxhetit fillestar 2025, në dispozicion vetëm për financimin e Zhvillimit Rural, ndër të cilat 4.4 miliard përbëjnë mbështetje të drejtpërdrejtë për fermerët.

Edhe gjatë vitit 2025, fokusi do të jetë bashkimi i operatorëve nëpërmjet incentivimit të  grupeve të prodhuesve dhe “Contract farming” përgjatë zinxhirit të vlerës. Në Programin Siguria Ushqimore në vitin 2025 do të kemi një mbështetje 2.6 miliardë lekë për Garantimin e Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjen e Konsumatorit”, tha Denaj.

“Në programin Menaxhimin e Infrastrukturës së Ujitjes dhe Kullimit, nëpërmjet një mbështetje me buxhet prej 2.9 miliardë lekë, ose 13% më shumë se ky vit. Në programin Mbështetje për Peshkimin kemi në fokus zhvillimin e qëndrueshëm të peshkimit dhe akuakulturës dhe shfrytëzimin e përgjegjshëm të burimeve peshkore.

Do të financojmë kështu politikat e sektorit me një buxhet prej 527 milionë lekë, ose 11.5% më shumë se në vitin 2024. Investimet në programin e peshkimit synojnë rritjen e prodhimit të produkteve peshkore me 10-20% dhe eksportet në masën 60-70%. Në programin Këshillimi dhe Informacioni Bujqësor me një buxhet prej 757 milion lekë, ose 7% më shume se buxheti fillestar 2024”, vijon ajo.

“Në programin Menaxhimi i Qëndrueshëm i Tokës Bujqësore, do të realizohen objektivat Krijimi i informacionit për tokën; Dixhitalizimi i Regjistrit të Tokës Bujqësore;Integrimi në aplikacionin e WEB-GIS të 10 bashkive (100 njësi administrative);Programi Planifikim Menaxhim Administrimi ofron: Mbështeje administrative, me produkt kryesor përafrimin e politikave shqiptare me “aquis communitaire” të Bashkimit Europian”, u shpreh Denaj.

Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj prezanton pr/bixhetinm, tek Komisioni i Veprimtarisë Prodhue... 1 nga 3

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›