E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Denaj: Fabrika e përpunimit të ullirit, mundësi e re ekonomike në Livadhja

TIRANË, 7 shkurt /ATSH/ Fatimja bashkë me familjen e saj kanë hapur këtë vit fabrikën e ullirit në Livadhja të Himarës, duke e kthyer pasionin për bujqësinë në një mundësi të re ekonomike për zonën.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, ndau sot në rrjete sociale historinë e vajzës që është angazhuar me pasion dhe shumë dëshirë në biznesin e saj familjar, teksa në video shihen momente të përpunimit të ullirit dhe prodhimit të vajit të ullirit, në fabrikën ku janë instaluar pajisje të teknologjisë së lartë.

Fatimja tregon se, sezoni ka qenë i mbarë jo vetëm nga përpunimi i vajit të ullirit që vjen nga 1,200 rrënjë ulliri që zotërojnë, por edhe nga bashkëpunimi me fermerët e tjerë të zonës, duke përpunuar ullinjtë e tyre.

“Së shpejti synojmë të jemi të pranishëm në tregun vendas dhe më pas të çojmë produktet “Made in Albania” në tregun ndërkombëtar”, tha ajo.

Vitet e fundit, fermerët por edhe subjekte të ndryshme, kanë rritur interesin për prodhimin me standard dhe cilësi të vajit të ullirit, krahas shtimit të mbjelljeve të reja me ullinj, por dhe me implementimin e teknologjive bashkëkohore të përpunimit.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›