Denaj: Hapësirë për gratë e zonave rurale në Panairin e 30-të Ndërkombëtar të Tiranës

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ Panairi i 30-të Ndërkombëtar i Tiranës ka hapësirë të dedikuar për gratë e zonave rurale që prezantojnë produktet Made in Albania, të realizuara apo prodhuara nga duart e tyre. Nga mjalti, llojshmëria e ndryshme e reçelërave, punime artizanale me grep apo sapunë të përgatitur me vaj ulliri dhe bimë mediciale, shumë gra nga zona të ndryshme rurale të vendit u bënë pjesë e këtij aktiviteti.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimi Rural, Anila Denaj solli pamje në rrjetet sociale nga kjo hapësirë e panairit.
“Në edicionin e 30-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, për të dytin vit radhazi një hapësirë për gratë rurale që prezantojnë dhe lartësojnë vlerat e jashtëzakonshme të shijeve shqiptare, që ka falur natyra. Produkte cilësore Made in Albania nga toka në tryezë dhe forcim i pozitës së produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare”, u shpreh Denaj.
Panairi i dedikohet promovimit të shërbimeve dhe produkteve autoktone shqiptare, për të nxitur konsumatorët drejt prodhimeve vendase. Objektiv kryesor i panairit është nxitja e bashkëpunimeve të reja në bujqësi, rrjetëzimi i fermerëve dhe ekspertëve të sektorit me marka ndërkombëtare dhe me aktorët kryesorë të cilët ndikojnë zhvillimin e sektorit.
/e.i/j.p/