E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Denaj: Investimi në lumin Drin shmang përmbytjen në mbi 500 hektarë tokë bujqësore

TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ Qeveria po investon në argjinatura dhe infrastrukturën ujitëse dhe kulluese, për mbrojtjen e tokave bujqësore nga përmbytjet dhe gërryerjet e lumenjve.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjetet sociale pamje nga investimi i realizuar në lumit Drin në Juban, Shkodër që mundëson eliminimin e përmbytjeve në mbi 500 ha toka bujqësore.

Denaj tha se, tashmë janë përfunduar punimet në një gjatësi prej 0,5 km për mbrojtjen nga gërryerjet e lumit Drin në Juban, Shkodër.

“Ky investim, i realizuar me mure gabioni dhe panele tërthore mbrojtëse, garanton mbrojtjen e mbi 500 hektarëve tokë bujqësore dhe zonave të banuara nga gërryerjet e lumit Drin”, tha ajo.

Në prag të stinës së dimrit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përmes bordeve të Ujitje Kullimit, ka ndërhyrë në një sërë veprash të infrastrukturës ujitëse dhe kulluese, apo në argjinaturat e lumenjve në disa zona të vendit, me qëllim rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e tyre, për t’i paraprirë parandalimit të përmbytjeve në tokat bujqësore nga reshjet e shiut.

Ndërkohë që puna vijon në këtë sektor me një sërë investimesh të tjera në shërbim të komunitetit. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›