Denaj: Të rinjtë po e kthejnë traditën në mundësi për vizionin “Bujqësia 2030”

TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ Me pasionin për punën dhe traditën shumëvjeçare të zonës për kultivimin e bimëve medicinale, Ervini në Malësinë e Madhe, kultivon në 15 hektarë sherebelë, lavandër dhe trumzë për eksport.
Me biznesin e tij, ai po kontribuon në fuqizimin e ekonomisë rurale, duke rritur vlerën e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.
Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ndau në rrjete sociale historinë e tij, teksa vuri në dukje se, “prodhimet “Made in Albania”, po bëhet një markë e fortë falë të rinjve.
“Të rinjtë besojnë në potencialin e tyre dhe po e kthejnë traditën në mundësi për vizionin “Bujqësia 2030”, u shpreh Denaj.
Industria e bimëve mjekësore dhe aromatike ka shënuar një trend në rritje vitet e fundit në vendin tonë, duke u kthyer në një burim të ardhurash për mijëra familje. Ndërsa gjithnjë e më tepër vihet re një prezencë të këtyre bimëve në tregun botëror të kësaj industrie.
Rritja e eksporteve të këtyre bimëve është një ndër prioritetet e politikave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Shqipëria ka qindra bimë mjekësore dhe aromatike që rriten kryesisht në zonat malore të vendit, ndërkohë ndër më të njohurat mund të përmendim sherbelën, balsamin, rigonin, boronicën, qershinë e egër, livandën, trumzën, bimën e makthit, hithrën, cianin, trëndafilin e egër dhe shtogun.
Këto lloje bimësh gjejnë përdorim në industrinë farmaceutike, ushqimore dhe kozmetike, ndërsa procesi i përgatitjes së tyre kalon në faza të ndryshme.
/a.f/