E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Denaj: Vëllezërit e kthyer nga Greqia investuan në bujqësi, prodhojnë çdo vit 1 ton vaj ulliri

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Odise dhe Filip nga Novosela, Vlorë, janë dy të rinj të përkushtuar që, pasi u kthyen nga Greqia dhe përfunduan studimet në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Odise si agronom dhe Filipi si veteriner, vendosën të ndërtojnë biznesin e tyre.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ndau në rrjete sociale historinë e tyre si shembullin më të mirë që po ndjekin të rinjtë, duke investuar për punuar në vendlindjen e tyre, në sektorin e bujqësisë.

Denaj tha se, me teknologji moderne, ata kultivojnë fidanë ulliri, pemë frutore dhe lule natyrale duke përdorur gur vullkanik (perlit) një substrat ekologjik që garanton rritje të shëndetshme dhe produktivitet të lartë.

“Ky proces inovativ në sipërmarrjen e tyre, jo vetëm që përmirëson cilësinë e fidanëve që shkojnë në tregun vendas, por edhe kontribuon në mbrojtjen e mjedisit përmes metodave të qëndrueshme të kultivimit”, u shpreh Denaj.

Ministrja bëri të ditur se, përveç kësaj, ata zotërojnë një hektar ullishte, nga e cila prodhojnë çdo vit 1 ton vaj ulliri të cilësisë së lartë që shkon në tregun vendas.

1 nga 6

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›