E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Shqipëria, e para në rajon për vetëprodhimin e energjisë diellore

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se, Shqipëria është sot jo vetëm e para në rajon për vetëprodhimin e energjisë diellore, por me distancë nga i dyti.

Në një konferencë për shtyp së bashku me zëvendëskryeministren dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për çmimin e ri të energjisë elektrike, Rama tha se, ulja e çmimit të energjisë është materializimi i jashtëzakonshëm i një historie 10-vjeçare përpjekjesh.

“Kini parasysh disa fakte dhe po përsëris fakte që nuk dalin zakonisht në ekrane dhe në portale, se ekranet edhe portalet janë shumë më të interesuara për spektaklin e gjysmë të vërtetave edhe për thertoren publike të të gjithë personazheve publikë”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se, “Shqipëria sot falë politikës sonë në fushën e energjisë, falë masave komplekse që ne kemi marrë, qoftë me shtrëngimin e një hapësire tërësisht të shqyer që gjetëm kur gjysma nuk e paguante apo e vidhte energjinë dhe pjesa tjetër paguante dhe për gjysmën tjetër, dhe falë incentivave është jo vetëm e para në rajon për vetëprodhimin e energjisë solare, por me distancë nga i dyti”.

“Sot Shqipëria prodhon 196 megavat energji elektrike nga subjektet private, familjare apo biznese. Në vendin e dytë është Serbia me ¼-ën e prodhimit të Shqipëri 51 megavat. Pastaj Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë bashkë në një grup, midis 14 dhe 18 megavat”, theksoi Rama.

“Tre vjet politikë në kulmin e sfidës nga kriza e madhe që prodhoi në gjithë sektorin energjetik të Evropës lufta në Ukrainë”, tha Rama.

Bordi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) vendosi sot që çmimi për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 700 kwh, do të jetë 8,5 lekë për kilovat.

Për ato familje që konsumojnë më shumë se 700 kilovat, çmimi do të jetë 9,5 lekë për kilovat.

Ky vendim hyn në fuqi më 1 shkurt 2025 deri në 31 dhjetor 2025.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›