E Enjte, 5 Nëntor 2026

Denaj në Kuvend: 540 investime të reja në bujqësi nga fondet e IPARD, kontribut që nuk e zhbën përdorimi politik

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Bujqësia shqiptare është tashmë në një dinamikë zhvillimi e përmirësimi të pakthyeshëm, ndërkohë që një kontribut kolosal ka dhënë programi i BE, IPARD II.

Kështu u shpreh Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Anila Denaj, gjatë interpelancës të kërkuar nga deputeti Agron Shehaj, për fondet e IPARD.

Ministrja Denaj e nisi fjalën e saj me fakte, prova, evidenca dhe të dhëna që flasin për një kontribut të jashtëzakonshëm të programit në sektorin bujqësor të Shqipërisë, në aktivitetin ekonomik të fermerëve dhe jetën e qytetarëve.

Sipas saj, këtë kontribut nuk mund ta zhbëjë asnjë përpjekje për përdorim politik.

“Programi IPARD II, nisi në vitin 2018 pas një procesi të rëndësishëm akreditimi dhe trajnimi të kapaciteteve të brendshme institucionale. Është një program që ka kontribut të fondeve të Bashkimit Evropian në masën 75% dhe të qeverisë shqiptare në masën 25%, u shpreh Denaj, ndërsa theksoi , se ky program ka kontribuar në rritjen dhe zhvillimin e njësive ekonomike të bujqësisë shqiptare, në përmirësimin e sigurisë ushqimore dhe në vlerën e shtuar të produktit shqiptar në tregjet ndërkombëtare.

Ministrja informoi se përmes programit IPARD II, janë realizuar 540 investime të rëndësishme në sektorë të ndryshëm bujqësor dhe janë krijuar 1000 vende pune për familjet shqiptare, të cilat janë fokusuar, në 73 investimeve në sera, 137 investime në mekanikë bujqësore, 72 pika grumbullimi, 80 investime të programit në sipërmarrjet agro-turistike, 46 investime në kantina verë dhe vreshta, 34 investime në stalla e ferma blegtorale, 40 fabrika përpunimi agro-ushqimore, 31 investime janë zhvilluar në promovimin e përdorimit eficent të burimeve të energjisë së rinovueshme.

Fermerët e mbështetur nga Programi IPARD janë kontribues kryesorë të një zinxhiri ekonomik që shkon përtej përdorimit dhe retorikës politike, u shpreh ministrja Denaj, ndërkohë theksoi se jo vetëm AZHBR, por të gjithë strukturat tona që mbulojnë “procedurat” IPARD po ndërmarrin të gjitha masat për të siguruar standardet më të larta të menaxhimit financiar dhe llogaridhënies në menaxhimin e fondeve të BE-së, pjesë të këtij programi.

Gjatë kësaj interpelance, Denaj tha se përdorimi i kësaj çështje për qëllime politike nuk e ndihmon as procesin ku ndodhemi, dhe as fermerët.

Ministrja garantoi se tashmë jemi në një proces përmirësimi në çdo hallkë për të qenë më të përgatitur për një shumë edhe më të madhe në IPARD III që ofron 9 masa, nga 4 masa që ishte IPARD II.

“Përgjatë zbatimit të Programit, vetë strukturat tona të auditit kanë zhvilluar auditime dhe kontrolle të brendshme ku si rezultat janë refuzuar kërkesa për pagesë nga subjektet përfituese, kur nuk janë plotësuar kriteret kontraktuale të programit”, tha Denaj.

Sipas saj, fokusi tashmë është përmirësimi i institucionit dhe procedurave, ku struktura e re e AZHBR-së ka filluar implementimin e ndryshimeve, të cilat garantojnë kapacitetet e domosdoshme për përthithjen e fondeve të IPARD III.

Këto ndryshime konsistojnë në rritjen e kapaciteteve njerëzore; përmirësimin e procedurave të brendshme; digjitalizimin e proceseve nëpërmjet platformës “e-application” dhe database i çmimeve të referencës, që tashmë kanë përfunduar, rritjen e kapaciteteve sinjalizuese dhe parandaluese (early warning), si dhe kontrollet monitoruese me struktura audituese.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural konfirmoi angazhimin e saj për transparencë, llogaridhënie dhe zbatimin e plote të çdo hapi në planin e veprimit të cilit e kemi në proces aprovimi formal me strukturat përgjegjëse në BE.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›