Xhixho: Testi “Pisa” certifikoi analfabetizmin, Manastirliu: Ndikim tërmeti e pandemia, paketë e re e trajtimit financiar dhe profesional të mësuesve

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilloi sot një interpelancë të kërkuar nga deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho.
Në fjalën e saj deputetja Xhixho tha se, testi Pisa certifikoi dështimin e paralajmëruar prej vitesh të sistemit arsimor në Shqipëri.
“E kam kërkuar interpelancën për shkak të emergjencës së thellë ku ndodhet sistemi arsimor. Testi Pisa certifikuan dështimin e paralajmëruar prej vitesh, sipas së cilave Shqipëria është në vendin e 69 nga 80 vende që u bënë pjesë e testimin e nxënësve 15 vjeçarë”, u shpreh Xhixho.
“Shqipëria ka humbur në matematike 69 pikë, në letërsi 47 pikë, në shkencë 41 pikë. Analfabetizmi është ulur këmbëkryq dhe po bëhet pandemik. Nxënësit nuk kuptojnë çfarë lexojnë. Po kultivoni analfabetizmin masiv. Emigrimi masiv me një ritëm të frikshëm”, tha Xhixho.
“Qindra shkolla janë mbyllur. Ato që janë hapur nuk ofrojnë arsim cilësor. Jemi kthyer në vitin 2000. Cilësohemi si shteti me rënien më të fortë mes shteteve pjesëmarrëse dhe kjo është alarmante”, deklaroi Xhixho.
Ndërsa ministrja Manastirliu u përgjigj duke thënë se, Pisa është fotografi momentale e situatës në 2022.
Sipas ministres, dy prej shkaktarëve kryesorë që ndikuan në uljen e performancës së nxënësve në të gjitha vendet, ishin tërmeti dhe pandemia.
“Sigurisht që shqetësimi juaj qëndron për ju edhe për ne. Por ju keni versionin tuaj të leximit me syze të errëta e pa u bazuar në atë që duhet. Ne ju japim një analizë të saj që ka ndodhur në Shqipëri për vlerësimin Pisa 2022. Shqipëria u prek nga tërmeti 2019, ndikoi në zhvillimin normal mësimor, 50% e nxënësve që morën pjesë në 2022 vinin nga zonat e prekura. Një nga shkaktarët e elementët e një ulje në performancën e të gjitha vendeve, ishte dhe pandemia e 2020. Pisa fotografi momentale e situatës në 2022”, tha Manastirliu.
Ministrja u shpreh se, është rritur paga mesatare e mësuesve që arriti 950 euro.
“Një ndër çështjet që ju më ftuat nuk e cekët, se nuk ju pëlqejnë të vërtetat, sepse ajo që bëni është kapja e një rasti dhe përgjithësimi i tij, por dua të ndalem te trajtimi financiar i mësuesve që kulmoi këtë muaj me pagën mesatare të mësuesve që arriti 950 euro. Premtuam se do t’i rrisnim pagat e mësuesve me 40 për qind dhe këtë mandat e kemi bërë realitet. Do të vazhdojmë me mbështetjen. Përfitojnë mësuesit dhe edukatorët. Rritja e mësuesve do të jetë mesatarisht 18 mijë lekë në muaj”, u shpreh Manastirliu.
“Kemi ndërtuar një sistem të ri, shtoi Manastirliu, kjo skemë e re parashikon shpërblime për mësuesit e kualifikuar dhe mësuesit mjeshtër. Kjo skemë e re, që vjen në kuadër të zhvillimit profesional, krijon mbështetje në karrierën e tyre, që bën të mundur një përmirësim cilësor dhe realizon rritje në shkallët e kualifikimit, duke nxitur dhe zhvillimin profesional të mësuesve. Kjo do të ndikojë në orientimin efikas të nxënësve drejt karrierës. Skema ka bërë të mundur përfshirjen e universiteteve”.
Ministrja Manastirliu foli edhe për skemën e re të mbështetjes financiare të mësuesve që lidhet me sistemin e ri të kualifikimit.
“Premtuam se brenda këtij mandati do t’i rrisnim pagat e mësuesve me 40% dhe këtë e kemi bërë realitet. Do të vazhdojmë politikën e rritjes së pagave dhe mbështetjes së mësuesve. Nga kjo politikë përfitojnë 30 mijë mësues në sistemin arsimor dhe 7368 edukatorë në çerdhe dhe kopshte, si dhe mësues të arsimit profesional. Kur flasim për skemën e re të pagave, nuk kemi parasysh vetëm rritjen për pozicion pune apo për vjetërsi, por edhe për kualifikim dhe mbështetje përgjatë gjithë karrierës së tyre. Kemi ndërtuar një sistem të ri për edukimin në vazhdim dhe skemën e përfitimit të shkallëve të kualifikimit. Me skemën e re të kualifikimit, duhen 3 vite eksperiencë për të përfituar “Mësues i Kualifikuar”, 8 vite për “Mësues Specialist” dhe 15 vite për “Mësues Mjeshtër”. Kjo skemë vjen me rritjen e shpërblimeve financiare, duke dyfishuar shpërblimet për “Mësues i Kualifikuar” dhe “Mësues Specialist”, dhe duke rritur me 50% shpërblimin për “Mësues Mjeshtër”. Financimi shtesë për mësuesit për rritjen e kualifikimeve është 4.8 milion euro”. Këto deklarata Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, i bëri gjatë interpelancës së thirrur nga deputetja Erisa Xhixho në Kuvend.
Ministrja u ndal dhe te puna për modernizimin e kurrikulës kombëtare dhe integrimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në shkolla. Janë 200 shkolla që tashmë janë pjesë e programit Element IT, me 216 laboratorë të rinj Smart, duke përfshirë më shumë se 40,000 fëmijë në programet e kodimit.
“Po punojmë për modernizimin e kurrikulës kombëtare dhe jemi duke vlerësuar arritjet e nxënësve në raport me metodat e reja dhe efektive të mësimdhënies. Nevojat për të reflektuar zhvillimet teknologjike dhe digjitale, nxitjen e mendimit kritik dhe rritjen e kompetencave të nxënësve janë prioritet. Integrimi i teknologjisë dhe informacionit është një prioritet i yni për zhvillimin e një arsimi që aftëson nxënësit në fushën e teknologjisë,” tha Manastirliu.
Një nga prioritetet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është mbështetja financiare për studentët që zgjedhin degë prioritare, me bursa që arrijnë vlerën e pagës minimale.
“Këtë vit, vendimi i qeverisë ka ridimensionuar programin e mbështetjes së studentëve të degëve prioritare me bursa sa paga minimale, duke i dhënë një rëndësi fushave si mësuesia, bujqësia, shkencat e natyrës, inxhinieri navale etj. Kjo përfshin jo vetëm hyrjen dhe mbështetjen me bursa, por gjithashtu ruajtjen e arritjeve të studentëve, në mënyrë që studentët që mbështeten me këto bursa, të jenë më pas profesionistët më të mirë. Rimodelimi që po i bëjmë këtë vit këtij mekanizmi, do të sjellë që jo vetëm që interesi të rritet, por ne të garantojmë që ata studentë që futen në sistem të rrisin rezultatet e tyre dhe t’i mbajnë këto rezultate në të gjitha nivelet e studimit të tyre përgjatë kohës që përfitojnë këto bursa”, tha Manastirliu.
Ministrja theksoi se reformat e ndërmarra kanë sjellë rritje të pagave, përmirësim të kushteve të punës dhe një sistem më transparent dhe meritokratik të punësimit për mësuesit.