Dënimi i Marine Le Pen, diplomati Bimo: Vendimi ka ngjyrim politik. Gjykata duhet të fliste vetëm për korrupsionin

Diplomati Roland Bimo ka komentuar në një intervistë për RTSH 24 vendimin e Gjykatës së Parisit, e cila ka dënuar lideren e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, duke i ndaluar të drejtat politike për pesë vjet.
Bimo theksoi se ky vendim, i cili e pengon Le Pen të garojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, përforcon dyshimet për një ndërhyrje politike të gjyqësorit.
“Vendimi i gjykatës ka një ngjyrim politik. Të drejtat politike të Le Pen i mohohen menjëherë, duke e penguar atë në fushatën e ardhshme për presidente, që e bën këtë vendim një goditje të mundshme për demokracinë franceze,” tha Bimo, duke shtuar se reagimet nga kundërshtarët politikë në Francë, si dhe nga autoritete të tjera ndërkombëtare, kanë sugjeruar se ky vendim është një ndërhyrje e gjyqësorit në politikë.
Diplomati Bimo e paralajmëroi gjithashtu se ky vendim mund të rrisë pakënaqësinë e publikut ndaj qeverisë dhe të forcojë mbështetjen për Le Pen dhe qëndrimet që ajo përfaqëson.
“Në vendimin e dënimit të Marie Le Pen vihet re se saj përveç dënimit për korrupsion, i mohohen të drejtat politike, që e pengon atë të gazorë në fushatën presidenciale të 2027 në Francë. Një tjetër kleçkë është se vendimi hyn në fuqi menjëherë. Nga sot ajo nuk gëzon më të drejta politike në Francë dhe kjo përforcon deklarimet që vendimi i gjykatës ka qenë i ngjyrosur politikisht. Për këtë janë shprehu edhe kundërshtarë politikë të Le Pen në Francë, duke thënë se ky vendim ishte një goditje për demokracinë e Francës. I rrufeshëm ka qenë edhe reagimi i nga Amerika. Reagim ka ardhur edhe nga Moska ku tha se ishte goditje e rëndë për demokracinë franceze. Reagimet nuk është se kanë qenë në mbrojtje të Le Pene, pasi korrupsioni i saj u vërtetua nga gjykata, por reagimet kanë të bëjnë me ndërhyrjen e gjyqësorit në politikë.
Përmes një neni, presidenti Macron ka të drejtë kushtetuese për të ushtruar të drejtën e faljes dhe ai mund ta çlirojë Le Pene nga vendimi i gjyqësorit për të drejtat politike dhe t’i hapë rrugën për të marrë pjesë në zgjedhjet e 2027. Kjo është kundërshtarja kryesore e Macron dhe do ishte një gjest i jashtëzakonshëm nga ana e Macron.
Me këtë vendim të gjyqësorit pakënaqësia e njerëzve ndaj qeverisë shtohet dhe mund të shtohet edhe më tej mbështetja ndaj Le Pen dhe asaj që ajo përfaqëson në politikë. Kur vendimi merr ngjyrim politik, i bën njerëzit që në vend që ta dënojnë politikisht për rastet e korrupsionit, por çon në mbështetje të saj. Gjykata mund të dënonte për korrupsion dhe ta linte fatin e saj politik ta vendosin vetë njerëzit në votime”, u shpreh diplomati.
Diplomati shprehu shqetësimin edhe për krizën e identitetit politik të Bashkimit Europian dhe vështirësitë ekonomike që po përballet unioni.
“Europa duket sikur i ka bërë varrin vetes duke mos pasur asnjë lloj identiteti politik në momentet kyçe. Ekonomia europiane është në vështirësi të jashtëzakonshme dhe ajo po mundohet të fusë ekonomë në shinat e luftës për të dalë kriza, por po bëhet gjithmonë e më pak bindëse për publikun kërcënimi nga Rusia. Kemi të bëjmë me një fushatë lufte nxitëse që të kalojnë të gjithë këto buxhete marramendëse që kanë në më mendje liderët e BE-së”, tha ai.
Lidhur me arritjen e një armëpushimi mes Rusisë dhe Ukrainës, diplomati tha se edhe vetë SHBA e ka të vështirë të arrijë një të tillë, pasi qëllimet e Putinit dihen dhe ukrainasit nuk do të pranojnë kurrë të heqin dorë nga territoret.
“Rusia është e fituar. Mënyra se si shprehen amerikanët është e kamufluar, por po të zbërthesh fjalët e tyre kjo luftë është e fituar praktikisht nga Rusia. Kur je përballë një superfuqie ushtarake duhet gjetur një kombinim i duhur i forcën dhe diplomacisë”, tha diplomati.
/rtsh.al/