E Diel, 1 Nëntor 2026

Dënohet sulmi ndaj gazetarit Kajtazi

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë, INTEGRA, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut Kosovë, Instituti për Qëndrueshmëri dhe Zhvillim të Rinisë në Kosovë dhe Syri i Vizionit dënojnë ashpër fyerjet dhe kërcënimet serioze ndaj personalitetit dhe jetës së gazetarit Vehbi Kajtazi nga ana e profesorit të Universitetit të Prizrenit, Enver Sopjani.

“Këto organizata joqeveritare, thërrasin institucionet kompetente, policinë dhe prokurorinë që të ndërmarrin veprimet e nevojshme lidhur me rastin, duke pasur parasysh se fyerjet dhe kërcënimet paraqesin vepra penale në bazë të Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në reagimin e tyre dërguar mediave.

“Konsiderojmë se kanosjet e tilla ndaj gazetarëve ndikojnë në punën e tyre që në mënyrë të pavarur dhe profesionale të raportojnë për një ngjarje të caktuar. Presionet ndaj gazetarëve ndikojnë në mosinformimin e drejtë dhe në mënyrë objektive të opinionit publik”, theksohet në reagim.

Sipas tyre, në rastet kur ekziston dyshimi i bazuar për shpifjet e bëra nga gazetarët, palët duhet t’u drejtohen organeve kompetente./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›