E Hënë, 2 Nëntor 2026

Depistimi dentar në shkolla – Koçiu: 213 stomatologë gati për fëmijët

Nxënësit në shkollat e vendit vijojnë përfitojnë nga programi i depistimit dentar, duke krijuar bazat për një kujdes të mirë oral që në fëmijëri.

Me nisjen e vitit të ri shkollor, 154 kabinete dentare në shkolla janë gati për fëmijët, në kuadër të Programit Kombëtar të Depistimit Dentar.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një video-mesazh në rrjetet sociale, tha se “213 stomatologë kujdesen çdo ditë për shëndetin e dhëmbëve, duke zbuluar problematikat herët dhe duke promovuar higjienën e rregullt”.

Në video-mesazhin, mjekja stomatologe pranë shkollës 9-vjeçare “Vasil Shanto” në Tiranë, tha se “ne ofrojmë shërbimin e depistimit kombëtar për shëndetin e gojës duke filluar nga klasa e parë deri te klasat e nënta”.

“Në shërbimin tonë dentar ne ofrojmë shërbimin parandalues dhe atë mjekues. Shërbimi parandalues konsiston në masat parandaluese si florizimi dhe silanizimi i dhëmbëve. Ndërsa shërbimi mjekues konsiston në mjekimin e dhëmbëve. Nëse ne vërejmë raste të cilat janë për t’u referuar tek specialisti si rastet e aparateve dentare ne i referojmë në Klinikën Stomatologjike Universitare”, theksoi ajo.

Duke nënvizuar disa këshilla se si nxënësit të kujdesen për shëndetin e tyre, mjekja u shpreh se për të pasur përkujdesje të shtuar, nxënsëve i jepen  rekomandime edhe për mënyrën se si duhet bërë më korrekte larja e dhëmbëve.

“ Këto rekomandime i japim edhe nëpër klasa nëpërmjet promocionit dentar, filmave vizatimorë, edukativë dhe posterave”.

Kujtojmë se gjatë vitit shkollor 2024-2025, mbi 102 mijë fëmijë kanë përfituar nga Programi Kombëtar i Depistimit Dentar në shkolla, duke marrë jo vetëm kontrollin e nevojshëm, por edhe edukim mbi kujdesin oral.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›