Forcat e Armatosura do të ofrojnë dronë për të mbikëqyrur dhe monitoruar kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale

Qeveria ka miratuar disa ndryshime dhe shtesa në vendimin, lidhur me përdorimin e mjeteve ajrore pa pilot (dronëve) nga Forcat e Armatosura në mbështetje të institucioneve shtetërore.
Këto ndryshime zgjerojnë gamën e subjekteve që mund të përfitojnë nga ky shërbim, duke përfshirë tani edhe subjektet tregtare me kapital shtetëror.
Ky shërbim për subjektet tregtare do të ofrohet kundrejt një tarife, e cila do të përcaktohet me urdhër të përbashkët të Ministrit të Mbrojtjes dhe Ministrit të Financave.
Gjithashtu, janë shtuar dy fusha të reja veprimtarie ku mund të përdoren dronët:
- Mbikëqyrja, monitorimi dhe kontrolli i kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit, si dhe produkteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale.
- Mbikëqyrja dhe monitorimi i transportit dhe lëvizjes së mallrave që i nënshtrohen një regjimi të caktuar doganor.
Vendimi përfshin gjithashtu përfshirjen e ministrive përgjegjëse për financat dhe shëndetësinë në listën e institucioneve që mund të kërkojnë mbështetje nga Forcat e Armatosura me mjete ajrore pa pilot.
/rtsh.al/