Deputetë të PD pranë protestuesve të shoqëruar në Komisariatin nr. 1/ Këlliçi: 9 të rinj të shoqëruar

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, së bashku me deputetët Tomor Alizoti, Bledjon Nallbati dhe të rinjtë e FRPD, denoncuan dhunën e ushtruar nga policia gjatë protestës së sotme, në një deklaratë para Komisariatit nr. 1 në Tiranë.
Këlliçi bëri të ditur se të paktën 9 të rinj janë shoqëruar në komisariat, ndërsa veçoi rastin e një të riu të sëmurë me kancer, për lirimin e menjëhershëm të të cilit tha se po përpiqeshin të ndërhynin.
Ai akuzoi efektivët e Policisë së Shtetit, përfshirë forcat Shqiponja dhe Ndërhyrjen e Shpejtë, për ushtrim të dhunës brutale ndaj protestuesve. Këlliçi akuzoi gjithashtu drejtorin e Ndërhyrjes së Shpejtë, Artur Priftin, si dhe Ardit Kasapin për përfshirje në episode dhune gjatë protestës. Ai kërkoi që personat përgjegjës të vihen para drejtësisë dhe akuzoi prokurorinë për mosveprimin përballë këtyre ngjarjeve.
Nga ana e tij, deputeti Tomor Alizoti e cilësoi dhunën ndaj të rinjve dhe qytetarëve si të papranueshme, duke deklaruar se përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi penale. Ai akuzoi drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe ministrin e Brendshëm për përgjegjësi për atë që e përshkroi si dhunë dhe egërsi ndaj protestuesve.
Këlliçi theksoi se deputetët e Partisë Demokratike po qëndrojnë pranë komisariateve ku janë shoqëruar protestuesit, për të ndjekur nga afër situatën dhe për të kërkuar lirimin e tyre.
Në përfundim, ai u bëri thirrje të rinjve që të dalin sërish në protestë ditën e nesërme, duke deklaruar se dhuna policore nuk do t’i tërheqë ata nga protestat, por do të ketë efektin e kundërt.
Deklarata e plotë:
Belind Këlliçi: Atëherë, jemi këtu pranë komisariatit numër 1 Tiranë, ku dhuna shtazarake sot e policisë, e forcave të rendit, e repartit Shqiponja, dhe e ndërhyrjes së shpejtë, ka njohur nivele të pahasura më parë. Janë të paktën nëntë të rinj të shoqëruar deri tani, ku një rast i paprecedent është një i ri i sëmurë me kancer, dhe këtë e themi me përgjegjësi shumë të plotë, për të cilin po presim të marrim kontakt për ta liruar në mënyrë të menjëhershme nga ambientet e komisariatit. Dhe ndërkohë jemi këtu për shkak të një dhune brutale dhe absurde të kryer nga disa banditë të veshur me uniformën e policisë së shtetit. I pari Artur Prifti, që e kemi denoncuar sot, drejtori i ndërhyrjes së shpejtë, personi i aluduar deri tani që në krye të FNSH-së ka dhënë urdhrin për nxjerrjen e syrit të një djali 28-vjeçar. Ndërkohë Ardit Kasapi, personi që ju e keni parë sot në video duke dhunuar pranë ambienteve të stadiumit Dinamo një qytetar që ishte pa ndjenja, duke e rrahur barbarisht me shkop gome, në këto momente do të duhej të ishte me pranga në duar. Të dy këta banditë dhe banditët e tjerë që kanë sulmuar qytetarët, të rinjtë, studentët, deputetët sot, do të duhej të ishin në pranga, por për fatin tonë të keq sot ka humbur çdo rol dhe është kthyer në bashkëpunëtor të këtij krimi të shëmtuar edhe prokurori i Tiranës Arenc Çela, edhe prokurori i përgjithshëm Olsian Çela. Unë nuk e di se çfarë duhet të ndodhi më. Ne nuk e dimë se sa kocka, krahë, këmbë, dhe sy duhet t’u nxirren fëmijëve, apo kocka duhet të thyhen të të rinjve, që prokurori i Tiranës të lëvizë dhe të kthehet nga dëshmitar, të kthehet në avokat të qytetarëve dhe avokat të të rinjve. Ne do vijojmë të bëjmë detyrën tonë, bashkë me kolegët, Alizoti dhe Nallbati, dhe bashkë me të rinjtë të FRPD, jemi këtu prej disa orësh në komisariatin numër 1. Në çdo komisariat ku ka të shoqëruar janë deputetë të Partisë Demokratike prezentë, dhe kjo dhunë që Edi Rama mendon se do t’i sprapsë të rinjtë, ka kryer dhe ka shkaktuar efektin e krejt të kundërt. Të gjithë janë të motivuar, nesër do të jenë sërish në shesh, unë i bëj thirrje çdo të riu që nesër sërish të dalim, të ngremë zërin për të larguar një të keqe të madhe që ka kapur Shqipërinë, që quhet Edi Rama.
Tomor Alizoti: Dhuna policore e ushtruar sot ndaj të rinjve, ndaj shqiptarëve… Brenda komisariatit është dhe një i ri i sëmurë me kancer. Përgjegjësi kryesor është drejtori i policisë Hita, ministri i brendshëm, i çmenduri Rama. Dhe i gjithë krimi i organizuar që sot ka veshur uniformën e policisë do të mbajë përgjegjësi direkte penale për atë që u ka bërë shqiptarëve, për sadizmin, për epshin, për egërsinë, për të dhunuar qytetarët. E gjithë policia e cila mban krimin e organizuar, i shërben krimit të organizuar, do të mbajë përgjegjësi penale që godet qytetarët e lirë.