Deputetët e PD-së mbrojnë shefin e pezulluar të qarkullimit të Tiranës
Shkarkimi nga detyra i Shefit të Policisë së Qarkullimit Rrugor, Krenar Ahmeti ka shkaktuar debate sot në kuvend. Deputetët e PD-së e kanë quajtur atë një shkarkim politik dhe të udhëhequr nga prokuroria dhe gjykata.
“Prokuroria dhe Gjykata kanë aleancë midis tyre dhe janë të aftë të mposhtin këdo” – tha deputeti i PD-së, Fatos Hoxha.
Ndërkohë deputeti i PS-së Marko Bello është shprehur se: “Kryeministri Berisha ja ka dalë të paralizojë drejtësinë dhe kërkon të kontrollojë gjithë institucionet. “Profesionalizimi i policisë është përtokë, me në krye militantë të PD-së”- tha Bello. Ai i bëri thirrje ministrit të brendshëm, Bujar Nishani të bëjë kujdes me policinë.
Gjykata ka shkarkuar shefin e Komisariatit të policisë rrugore në Tiranë, Krenar Ahmeti, për akuzën e kryerjes së veprimeve arbitrare.
Sipas prokurorisë, ndaj Krenar Ahmetit kanë mbërritur dy kallëzime penale nga shtetas të ndryshëm, të cilët janë marrë forcërisht prej tij dhe janë dërguar në komisariat.
Rasti i parë ka ndodhur më datë 17 maj kur Ahmeti ka shoqëruar në komisariat një prokurore dhe bashkëshortin e saj.
Sipas materialeve të prokurorisë, një efektiv policie ka ndaluar makinën ku ndodhej prokurorja dhe familja e saj pa asnjë arsye dhe i ka marrë atyre dokumentet. Kur ata i kanë kërkuar sërish dokumentet pasi duhet të shpinin një të moshuar të sëmurë, e cila ndodhej në sediljen e pasme, për në spital, aty ka mbërritur Ahmeti.
Polici i ka dhënë sërish dokumentet bashkëshortit të prokurores ndërsa kjo e fundit ka takuar kreun e qarkullimit. Në këtë moment ka nisur edhe konflikti pasi, sipas dëshmisë së prokurores, Krenar Ahmeti e ka ofenduar.
Më pas debati ka vazhduar edhe me bashkëshortin e saj duke përfunduar me marrjen e çelësave të makinës dhe mbylljen e saj nga Ahmeti. “Më pas ai ka thërritur policinë e rendit dhe ka dërguar me forcë të dy këta shtetas në komisariat. Nga hetimi rezulton se Krenar Ahmeti ka kërcënuar, fyer, ofenduar dhe shoqëruar në polici në mënyrë të padrejtë dy qytetarët”,- thuhet në materialet e prokurorisë.
Rasti i dytë ka ndodhur më datë 25 maj kur një shtetas me inicialet H.N, i cili kishte njohje me të, pasi policia i kishte marrë pa procesverbal dokumentet e makinës.
H.N i ka thënë Ahmetit se do ta denonconte këtë rast në prokurori pasi është shkelje e ligjit por kreu i qarkullimit i është përgjigjur se nuk pyet për prokurorinë e pak ditë më parë kishte dërguar në komisariat një prokurore.
“Në debat e sipër, Ahmetaj i ka thënë një polici që të sjellë një patrullë duke e dërguar shtetasin H.N në komisariatin numër 2, ku ka qëndruar për më shumë se 12 orë. Si pasojë e urdhrit të Ahmetit këtij shtetasi i është hequr liria në mënyrë të padrejtë”,- thuhet në materialet e prokurorisë.