E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si dimë ta kujtojmë Prizrenin

 

Lidhja në Prizren, aktivitetet në Prishtinë. Asnjë ndihmë nga Shqipëria për pasurimin e Qendrës Muzeale të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. I vetmi investim në qendrën e Lidhjes Shqiptare është gëlqerosja e objektit

Prizren

Atmosfera për kremtimin e 130-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nuk është aspak entuziaste në qytetin që ndryshe thirret Qyteti i Lidhjes Shqiptare. Aktivitetet qëndrore do të mbahen në Prishtinë, ndërsa në Prizren të ftuarit për nder të kësaj dite kanë për të shkuar vetëm për pelegrinazh. Në qytet nuk ishte afishuar asnjë pllakatë që të lajmëronte ngjarjen, kjo me justifikimin se pllakatet nuk kanë dalë nga shtypshkronja. Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi Komunal i Prizrenit nuk kishin dhënë asnjë cent për kompleksin Muzeal të Lidhjes. I vetmi investim në këtë qendër ishte lyerja me gëlqere. Qeveria e mëparshme e Kosovës e kryesuar nga Agim Çeku, kishte marrë përsipër patronazhin e organizimit të 130- vjetorit, por në maj organizimi i kaloi Presidencës së Kosovës.

Në këtë jubile nuk duket gjëkundi ndihma e Shqipërisë. E vetmja prej nesh, nëse mund të quhet ndihmë kjo, ishin dy kostume popullore lumjane, dhuratë e Qendrës Kulturore e bashkisë së Kukësit për qendrën muzeale të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ndërkaq, Muzeu i Lidhjes Shqiptare nuk ka pësuar asnjë ndryshim, as është pasuruar me ndonjë të re arkivore e dokumentare, vetëm është stolisuar me flamuj kombëtarë shqiptarë, ku për çudi nuk duket asnjë flamur i shtetit të ri të Kosovës.

Me rastin e përvjetorit “hyjnë” në muze një faksimile e gazetës amerikane Neë York Times e datës 2 nëntor 1880 që shkruan për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit; janë fotot e 20 pjesëmarrësve që nënshkruan në Kongresin e Berlinit si dhe nënshkrimet e tyre të vulosura me dyllë. Këto kopje janë sjellë nga Arkivi Politik i Gjermanisë.

Drejtori i Kompleksi Monumental të Lidhjes së Prizrenit, Parim Kosova, tha se kjo ngjarje është lënë në hije dhe se “në fondin e Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, askush nuk ka dhënë asnjë cent. Të vetmin premtim kemi nga Kuvendi Komunal që të gëlqerosë objektin e Muzeut.”

I vetmi fakt me interes në gjithë këtë zhurmë pa ngjarje duket se vjen nga teqeja e Marash Isarit. Kjo është vepra më e re muzeale që do t’i shtohet kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Është zbuluar se në këtë teqe, në kohën e lavdishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ishin mbajtur disa seance plenare si dhe Ymer Prizreni kishte drejtuar aty një mbledhje në tetor të vitit 1879. Me nismën e njërit prej trashëgimtarëve të kësaj teqeje ka marrë nismën për ndërtimin e teqesë së Marash Isarit të rrënuar nga OZNA serbe në vitin 1950.Ish -Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka dekoruar në nëntor të vitit 2006,me Medaljen e Artë të Shqiponjës për kontributin e tij politik e shoqëror në Shpalljen Pavarësisë së Shqipërisë Musa Shehzaden (pas vdekjes), klerik i kësaj teqeje, duke rikthyer shkëlqimin e kësaj figure të lënë në harresë. Busti i Musa Shehzades është vendosur në dhjetor 2006, në 61-vjetorin e vrasjes, në Kompleksin Historik të Marashit në Prizren ku dhe kishte teqenë e cila është rrënuar nga serbët në vitin 1950. Krahas aktivitetit fetar, shoqëror dhe humanitar, Sheh Musa Shehzade, për 40 vjet me radhë u angazhua politikisht në dobi të çështjes kombëtare shqiptare. Ishte njëri ndërveprimtarët më të shquar të Lëvizjes Kombëtare gjatë gjysmës së parë të shek. të 20-të. Musa Shehzade ka qenë njeri prej nënshkruesve të rezolutës së Kuvendit të Junikut, nënshkrues i memorandumit të krerëve shqiptarë dërguar konsullatës angleze në Shkupdhe kërkesës dërguar qeverisë xhonturke. Përveç kësaj, ai njihet dhe si komandant i forcave që morën pjesë në çlirimin e Shkupit në gusht të vitit 1912 dhe më pas ka qenë përfaqësues i Prizrenit në kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912. Ndërkaq, më 26 prill 1941, me bashkëveprimtarë të tjerë, zyrtarisht merr pushtetin, duke qenë prefekt i parë shqiptar i Prizrenit. Musa Shehzade, ka qenë themelues i Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit më 1943. Megjithatë veprimtaria e patriotit ndërpritet më 28 nëntor 1945, ku OZNA serbe e ekzekuton pa gjyq dhe as sot e kësaj dite nuk i dihet varri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›