E Martë, 3 Nëntor 2026

Deputetët e PD-së në PE: Eurodeputetët mbështetën amendamentet tona, PS vendosi veton

Deputetët e PD-së në PE: Eurodeputetët mbështetën amendamentet tona, PS vendosi veton

Deputetët e Partisë Demokratike në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri kanë falënderuar eurodeputetët për mbështetjen e dhënë ndaj amendamenteve të propozuara nga opozita, ndërsa kanë kritikuar deputetët e Partisë Socialiste për bllokimin e miratimit të tyre.

Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesit e opozitës thanë se eurodeputetët mbështetën 35 amendamente të paraqitura prej tyre, duke e cilësuar këtë si një mesazh të qartë se procesi i integrimit europian duhet të mbështetet mbi reforma konkrete dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.

“Faleminderit eurodeputetëve që mbështetën me votën e tyre qëndrimet e opozitës në Komitetin e Stabilizim-Asociimit në Parlamentin Europian, të pasqyruara në 35 amendamente konkrete. Mbështetja e tyre është një dëshmi e qartë se integrimi europian nuk ndërtohet mbi propagandën, por mbi reforma të vërteta, rezultate konkrete dhe përgjegjësi institucionale”, thuhet në deklaratë.

Sipas deputetëve demokratë, miratimi i amendamenteve nga eurodeputetët tregon se Bashkimi Europian kërkon institucione funksionale, drejtësi të pavarur, mbrojtje të pronës dhe konkurrencë të ndershme, e jo vetëm miratimin formal të ligjeve.

Sponsorizuar

Opozita shprehu gjithashtu keqardhje për qëndrimin e deputetëve socialistë gjatë punimeve të komitetit.

“Keqardhje për deputetët e PS-së, të cilët vazhduan me të njëjtën qasje, duke i shërbyer interesit të ngushtë partiak e personal, në vend të interesit të Shqipërisë dhe të qytetarëve shqiptarë”, thuhet në reagim.

Në përfundim, deputetët e PD-së theksuan se Shqipëria ka nevojë për institucione që u shërbejnë qytetarëve dhe jo interesave politike, duke shtuar se integrimi europian duhet të përkthehet në më shumë mirëqenie, siguri dhe mundësi për qytetarët shqiptarë.a.b

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›