Deputetët lënë grevën. Ngrihen çadrat nga sheshi

Për më shumë se një orë, para vendimit për mbylljen e grevës, Kryetari i PS-së, Edi Rama bisedoi me deputetët dhe përkrahësit grevistë.
TIRANË- Fitimtarë paçka se beteja e tyre sapo ka nisur. Ndaj u janë gëzuar brohoritjeve, luleve dhe puthjeve pa fund qoftë nga të afërmit e tyre apo edhe qindra simpatizantëve, që i kanë përcjellë deri në momentin e fundit.
Në mbrëmjen e djeshme fitimtarë e kanë konsideruar veten jo vetëm 20 deputetët dhe 180 simpatizantët e Partisë Socialiste, por edhe mijëra qytetarë, që përgjatë këtyre 19 ditëve u derdhën në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
Ndaj mbrëmë, pas sinjaleve pozitive për kompromis, ata kanë braktisur çadrën e ngujimit, që për 19 ditë ishte kthyer në simbolin e rezistencës dhe sakrificës sublime të opozitës në emër të transparencës.
Vendimi për t'i dhënë fund sfilitjes së 140 burrave të mbetur në grevën e urisë, ka befasuar jo vetëm qindra protestues, që çdo mbrëmje mbushnin bulevardin përballë kryeministrisë, por edhe shumicën e grevistëve. Ndaj dhe mitingu i djeshëm i partisë Socialiste nisi rreth një orë e 15 minuta me vonesë. Ky ishte oguri i parë i ditës së djeshme.
Por përtej negociatave diplomatike, dukej se kryetari i partisë Socialiste kishte nevojë dhe për miratimin e atyre 140 burrave, që dje deklaronin se ishin të vendosur të vetësakrifikoheshin në emër të kauzës së tyre. Kryetari i opozitës, Edi Rama është futur në çadrën e ngujimit dhe aty ka biseduar shtruar me gjithësecilin prej tyre. Ka rrahur ide dhe oferta bisedimesh, që duket se janë hedhur për herë të parë në diskutim ditën e djeshme.
Biseda ka zgjatur më shumë se një orë, dhe vetëm kur Edi Rama ka marrë vendimin përfundimtar, në konsultim edhe me grevistët, ai ka pranuar t'i japë fund grevës dhe protestës më të madhe të opozitës të zhvilluara ndonjëherë përgjatë këtyre 20 viteve.
Deputetët grevistë të cilët dolën një e nga një dje nga çadrat deklaruan se fitimtar ishin vetë shqiptarët. "Grevistët e urisë bënë një dokument që e prezantuan me disa pika kushtesh dhe do të kërkojmë plotësimin e tyre.
Sot ka një fitues të madh, Shqipëria dhe shqiptarët. Kushdo që e ndjen veten shqiptar, sot është i fituar", - tha deputeti i PS-së, Tauland Balla, pasi la grevën e urisë. Po kaq i fituar ndihet edhe Xhovalin Kadeli e Artan Gaçi nga Tirana.
Paçka se gjatë paradites së djeshme ata deklaronin se ishin të vendosur deri në sakrificën më sublime, në emër të së ardhmes dhe integrimit të vendit, ata burra duket se i janë bindur arsyes dhe vullnetit politik. Ndaj, kur kryetari i PS-së, Edi Rama publikoi vendimin për të pezulluar grevën e urisë, secili prej grevistëve në të dalë të çadrave ka pritur përqafimet e të afërmve dhe qindra e qindra simpatizantëve të partisë Socialiste.