E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputeti Sula: “Propozimet e reja të Presidentit janë në rregull”



Duket se PS-ja dhe PD-ja kanë bërë “rokadë” në lidhje me dekretimet e dyta të presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Deputeti demokrat Dashnor Sula është shprehur dje se nuk ishte dakord me qëndrimin e socialistëve, duke u shprehur se PD-ja kishte vlerësuar përzgjedhjen e bërë nga presidenti Topi. “Të gjithë jemi njohur që Presidenti i Republikës ka nxjerrë gjashtë dekrete për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Pas një pune që bëri grupi i punës i ngritur nga Presidenti i Republikës, ku nxirren dekretet e dyta, në ndryshim nga ato të parat, ku ka pasur transparencë më të madhe, do të thosha se ishte grupi i punës i cili përcaktoi në parim kriteret për kandidatët, duke pasur parasysh dhe numrin e madh të kandidatëve dhe duke kriteret në tërësi, të përcaktuara dhe nga kërkesat e partive politike, sigurisht që mendoj se ka pasur një produkt, një numër të caktuar të kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe më pas Presidenti i Republikës, me të drejtën e tij ekskluzive, ka përzgjedhur gjashtë emra për të qenë anëtarë të Gjykatës së Lartë”. Jam njohur edhe me deklarimet e kolegëve të opozitës përsa u përket qëndrimeve të tyre për dekretet e presidentit, duke aluduar se këta kandidatë nuk i plotësojnë kriteret ligjore. Unë mendoj krejt ndryshe. Mendoj se Presidenti i Republikës i ka ndjekur të gjitha kriteret ligjore të caktuara, ku kriteri i parë ishte të qenit jurist për 15 vjet dhe të qenit në karrierën e gjyqësorit prej 10 vitesh, që ishin kriteret kryesore. Pastaj kanë qenë dhe kritere të tjera, të cilat mendoj se i ka respektuar. Tashmë, me ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, te neni 111 i Rregullores parashikohet edhe një seancë dëgjimore, që do të bëhet në Komisionin e Ligjeve”, - tha Sula, duke shtuar se do të jetë Komisioni i Ligjeve që do të vlerësojë të gjitha kriteret e përcaktuara nga ligji dhe nga Kushtetuta. Ai ka sqaruar më tej se presidentit do t’i bëhet sugjerimi për përgatitjen e një raporti në rast se ekziston mospërmbushja e kritereve. ”Do të jetë Presidentit të Republikës, i cili më pas do të reagojë nëse do t’i tërheqë dekretet e tij”, - theksoi Sula. Por deputeti demokrat nuk ka dashur të hyjë në vlerat individuale të kandidatëve të dekretuar, duke shtuar se një filtrim i tillë do të ndodhë në komisionet dhe në organet përkatëse të legjislativit. ”Do të thosha se vlerësimi për kandidatët është relativ, sepse duke marrë parasysh numrin e madh të kandidaturave, mendoj se nuk mund të thuhet se janë kandidatët absolutisht më të mirë, por mendoj se janë kandidatë të pranueshëm, janë juristë që kanë dhënë kontributet e tyre qoftë në sistemin gjyqësor ose në institucionet ku kanë punuar. Mendoj se janë kandidatura të përshtatshme dhe kandidatura të mira për të qenë anëtarë të Gjykatës së Lartë”, - ka deklaruar Sula.

12 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›