E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Berishës propozohet për anëtar i Gjykatës së Lartë



Habjon Hasani
Beteja për emërimet në Gjykatën e Lartë përbën një moment vendimtar për kryeministrin e vendit, deputetët e të cilit kanë propozuar avokatin e tij personal për anëtar të kësaj gjykate dje pasdite. Rreth 28 deputetë të Partisë Demokratike (e jo vetëm), kanë firmosur një kërkesë-propozim për presidentin Topi, me anë të së cilës i kanë kërkuar atij dekretimin e Neshat Fanës për anëtarin e shtatë (që do të zëvendësohet) të Gjykatës së Lartë. Kjo kërkesë, e cila në zanafillë të saj është iniciuar nga vetë kryeministri, i paraprin skadimit të afatit të anëtares së shtatë të kësaj gjykate, ndërsa deputetët demokratë nuk janë vonuar që të propozojnë avokatin e kreut dhe drejtuesit të tyre, Sali Berisha. Neshat Fana është i njohur si një ndër njerëzit më të “përzemërt” e pse jo edhe më konsekuentë në miqësinë me Berishën. Deri tani i sigurt është fakti se presidenti Topi është njohur me këtë propozim, por ende askush nuk di të thotë lidhur me “përshtypjet” apo efektin që mund të ketë lënë te Presidenti i Republikës një propozim i tillë. Megjithatë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, duket se e ka “skarcuar” dy herë Fanën. Rasti i parë ka qenë kur Fana u propozua si një kandidat i mundshëm për postin e kryeprokurorit (propozim që u hodh poshtë menjëherë nga Topi) dhe kur Fana paraqiti kandidaturën e tij së bashku me 104 juristët të tjerë, për zëvendësimin e gjashtë anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Fana nga ana e tij njihet si një “dorë e besuar” e kryeministrit, duke qenë mbrojtës i Berishës në çështje nga më delikatet, siç ishte dosja “Azem Hajdari”, ku Berisha nuk shkoi të dëshmonte kurrë. Por Fana ka qenë aktiv dhe në çështje të tjera si ajo “Blushi kundër Berishës”.
Kandidati
Neshat Fana ka qenë drejtor i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme deri në vitin 1996. Pas rrëzimit të Partisë Demokratike nga pushteti në vitin 1997, ai u bë avokat i liderit të opozitës në atë kohë, Sali Berisha. Fana e ka mbajtur këtë pozicion së bashku me Kreshnik Spahiun, i cili sot është anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Këtë pozicion Neshat Fana e ka mbajtur deri në vitin 1998. Në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, Kryesia e Partisë Demokratike vendosi ta kandidojë Neshat Fanën në zgjedhjet për deputet në Kuvend në Zonën 22, ku përballë ishte Sadri Abazi. Por përmes një procesi të kontestuar nga Fana, ai i humbi zgjedhjet duke mos arritur të marrë mandatin e deputetit. Emri i Fanës rezulton gjithashtu në listën e dhuruesve të donacioneve të Partisë Demokratike për të mbuluar fushatën elektorale. Sipas të dhënave rezulton se Fana ka dhënë 20 mijë lekë për fushatën e vitit 2005. Fana rezulton se ka fituar mbi 90 për qind të gjyqeve si avokat. Një fakt tejet interesant lidhet me “fatin e keq” të Neshat Fanës sa herë propozohet për poste nga Partia Demokratike. Kështu ka rezultuar propozimi i tij për deputet apo për kryeprokuror.
Dekretet
Sikundër askush nuk e priste, gjashtë dekretet e presidentit Bamir Topi për anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë u kthyen në një “arenë” të përplasjes politike mes tij dhe kryeministrit Berisha. Vetë presidenti shfaqi hapur habinë dhe mospëlqimin e tij për këtë qëndrim të PD-së, megjithatë ai vendosi të pranojë kushtëzimin e PD-së, e cila kërkonte më parë konsultime e pastaj dekretime. Kësisoj Topi rinisi nga e para fazën e përzgjedhjes, nga ku pesë ditë më parë ofroi sërish gjashtë emrat e rinj për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Për këtë u krijua një grup pune, që do të “monitoronte” kandidatët e mundshëm. Në mbledhjen e fundit të grupit të ekspertëve, ata vendosën dhe nëntë kriteret që duhet të plotësonin kandidatët, të cilët donin të bëheshin anëtarë të Gjykatës së Lartë. Këto kritere ishin: kandidatët duhet të kishin arsimin e lartë juridik, mënyrën e kryerjes së tij, kualifikime shkencore, vjetërsi në punë, duke pasur parasysh që ushtrimi i profesionit të ketë qenë sa më afër Gjyqësorit. Ekspertët sugjeruan kreun e shtetit që për periudhën ligjore të vjetërsisë të shikohen masat disiplinore, fuqia e tyre ligjore, lloji dhe numri i masave të dhëna. Integritet i lartë moral, reputacion i mirë në komunitetin e juristëve dhe mbështetje shoqërore e institucionale. Gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të profesionit të mos ketë pasur precedentë penalë, të ketë përmbushur detyrimet ligjore, të ketë qenë transparent dhe të ketë justifikuar pasurinë e tij.

Deputetët që kanë firmosur propozimin për Fanën

Astrit Patozi
Ilir Bano
Fatos Hoxha
Aleksandër Biberaj
Aldo Bumçi
Preç Zogaj
Pal Dajçi
Sali Shehu
Ferdinand Xhaferri
Leonard Demi
Eris Hoxha
Blerim Çela
Edi Paloka
Dashnor Sula
Luan Skuqi
Ndriçim Babasi
Genc Sharku
Albert Faruku
Lajla Përnaska
Hajrulla Paturi
Galip Ramadhi
Parid Teferiçi
Rahim Kaleci
Osman Metalla
Baki Shehu
Safet Sulaj
Flori Bajramaj
Ramiz Çobaj

12 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›