Divjakë – Ankona bashkëpunim për turizëm të gjelbër, projekte për zhvillim të qëndrueshëm

Bashkia e Divjakës dhe ajo e Ankonës në Itali nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Kryetari Josif Gorrea tha se Divjaka është një gur i çmuar i bregdetit shqiptar dhe kërkon projekte evropiane për lidhjen e detit me lagunën, menaxhimin e mbetjeve dhe sitet arkeologjike.
“Ankona duke qenë një komunë evropiane dhe ne një bashki e detit Adriatik mund ta bëjmë bashkëpunime të shumta”, u shrpeh Gorrea.
Në Ankona jetojnë mbi 1500 qytetarë Divjakës, që shihen si urë lidhëse mes dy vendeve.
“Mendoj se qytetarët e Ankonës mund të gjejnë këtu jo vetëm turizmin detar, por edhe kulturor. Potencialin dhe problemet e zonës ne i dëgjuam dhe do të ndihmojmë në zgjidhjen e disa prej tyre siç ishte biodiversiteti dhe laguna. Kjo nuk është e thjeshtë, ndaj ne do të angazhohemi në krijimin e një projekti të një niveli të lartë. Ky është takimi ynë i parë dhe do të bëjmë të mundur që turizmi shqiptar, i cili për momentin është në modë për ne italianët, të zgjatet në kohë”, u shpreh nënkryetari i bashkisë së Ankonës, Giovanni Zinni.
Gjatë vizitës në lagunën e Karavastasë dhe bregdetin e Adriatikut, delegacioni italian e cilësoi Divjakën potencial të madh dhe premtoi mbështetje për projekte që do të prezantohen në Bashkimin Evropian.
/rtsh.al/