Deputetja Kushi: Fillon indeksimi i pagave për mbi 36 mijë arsimtarë, ja kush përfiton shtesën

Mësuesit dhe punonjësit e sistemit arsimor në të gjithë vendin do të përfitojnë një rritje dhe indeksim të pagave, i cili ka hyrë zyrtarisht në fuqi që nga 1 janari i këtij viti. Detajet financiare të këtij vendimi u bënë të ditura nga Zv.kryetarja e Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, Evis Kushi, gjatë fjalës së saj në Kuvend.
Sipas sqarimit të Kushit, paketa e re financiare për arsimin ndahet në dy shtylla kryesore: një indeksim të përgjithshëm për të gjithë dhe një shtesë specifike për fashat e pagave të mesme.
Ndryshimet konkrete përfshijnë rritje me 2.5% për të gjithë punonjësit e sektorit të arsimit, pa përjashtim. Një rritje fikse prej 3,000 lekësh në muaj për të gjithë ata arsimtarë që aktualisht kanë një pagë nga 58,000 deri në 74,000 lekë.
Për kategorinë e dytë (që përfiton edhe indeksimin edhe shtesën fikse), rritja e përgjithshme e pagës arrin në nivelin 5.17%.
Nga zbatimi i këtij vendimi, sipas shifrave zyrtare, do të preken drejtpërdrejt 36,390 punonjës të sistemit arsimor në Shqipëri.
“Të dashur kolegë, ky nuk është vetëm një vendim me efekt financiar, por është edhe një mesazh për të gjithë ata që edukojnë brezin e ri, se në çdo rritje pagash, do të përfitojnë edhe ata,” deklaroi Kushi nga foltorja e Kuvendit.
Përtej rritjes financiare, Zv.kryetarja e Komisionit të Edukimit dha një lajm të rëndësishëm edhe për një kategori specifike mësuesish që kanë hasur pengesa burokratike në karrierën e tyre. Ajo paralajmëroi sjelljen e një nisme të re ligjore në Kuvend, e cila synon t’i japë zgjidhje përfundimtare shqetësimit të mësuesve që janë diplomuar dhe punësuar përpara nisjes së zbatimit të sistemit të Bolonjës në arsimin e lartë shqiptar.
/rtsh.al/