Përplasje në Kuvend për dhunën në protestën e 28 shkurtit, Balla: Berisha si Ajatollah, sulmuat artistët. Bardhi: Nuk e dinim qokën e Ramës me vilën e diktatorit

Zhvillimet e fundit ndërkombëtare në Lindjen e Mesme dhe protesta e opozitës më 28 shkurt kanë shkaktuar një përplasje të ashpër në seancën e sotme plenare mes kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe atij të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Debati nisi nga kërkesa e deputetit demokrat Tritan Shehu për një qëndrim zyrtar të Parlamentit lidhur me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.
Balla: Qëndrimi ynë i qartë pro-SHBA, PD të distancohet nga dhuna
Kreu i grupit socialist, Taulant Balla, theksoi se qeveria shqiptare e ka bërë tashmë të qartë mbështetjen e plotë ndaj ndërhyrjes parandaluese të SHBA-së dhe Izraelit, si dhe solidaritetin me vendet e Gjirit Persik.
Por Balla e zhvendosi menjëherë vëmendjen te zhvillimet e brendshme, duke hequr një paralele të ashpër politike. Ai e krahasoi kryedemokratin Sali Berisha me “Ajatollahun e fundit në Evropë” për shkak të urdhrave, sipas tij, për të sulmuar institucionet gjatë protestës së 28 shkurtit, veçanërisht “Vilën 31” (ish-rezidenca e Enver Hoxhës).
“Ndërkohë që SHBA dhe Izraeli godisnin objektivat e regjimit të Ajatollahëve, Ajatollahu i fundit në Evropë, Sali Berisha, urdhëronte ju dhe ata që iu vijnë nga mbrapa të sulmonit godina. Në ato godinë vetëm Saliu ka qenë brenda, asnjëri nga ne. Besoj që sot është dita që në emër të PD të distancoheni nga dhuna,” deklaroi Balla, duke kujtuar se gjatë sulmit me molotovë brenda godinës ndodheshin artistë, pasi objekti shërben si qendër kulturore.
Bardhi: Distancohemi nga korrupsioni. Vila e diktatorit, qokë e Ramës
Në replikën e tij, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, refuzoi akuzat për dhunë dhe e ktheu sulmin te korrupsioni qeveritar. Ai theksoi se opozita distancohet nga “dhuna e korrupsionit” dhe kërkoi që mazhoranca t’u përgjigjet thirrjeve të ndërkombëtarëve për t’u përballur me drejtësinë, duke përmendur specifikisht rastin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
Lidhur me dëmtimin e vilës së ish-diktatorit, Bardhi theksoi se opozita nuk ishte në dijeni të faktit që kjo pronë publike po menaxhohet nga një fondacion francez, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për dhënie të pronave të shqiptarëve në formë “qokash” jotransparente.
“Ne nuk rrimë në paradhomën e Ramës për të ditur se çfarë qokash bën me pronat e shqiptarëve. Fakti që një pronë publike i është kaluar për menaxhim një fondacioni francez u desh protesta e datës 28 që ta mësonim ne dhe shqiptarët,” përfundoi Bardhi.
/rtsh.al/