E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetja e PS feston 25-vjetorin: Një vit më parë më e lumtur se sa sot në Parlament

E lodhur nga zhurma dhe kaosi i qyteteve të mëdha evropianeajo u kthye te “rrënjët e saj, te kulla në breg të Liqenit të Komanit, në hyrje të Lumit të Shalës.

Në vitin 2010, vëllezërit e saj hapën shtigjet e Lumit të Shalës, duke ofruar udhëtime me varka për në fshatrat turistikë të kësaj zone.

Por, ajo kërkonte diçka që lidhej me tokën e të parëve. Ajo vendosi t’i hapte dyert e kullës së trashëguar për turistët, për ta bërë të njohur historinë shekullore të kësaj zone, traditat, zakonet, ushqimet, që për të janë “magjike”. Këtu do të lindte edhe “Neomalsore agroturizëm”.

Por pak kohë më pas, jeta e saj do të merrte një kthesë të fortë duke qenë kryesuese e listës së PS në Shkodër për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Dhe sot është deputete e Kuvendit të Shqipërisë.

Por Marjana Koçeku duket e pakënaqur! Përmes një postimi në rrjetet sociale, me rastin e 25-vjetorit të saj, ajo shprehet se, “nji vit ma përpara isha ma e lumtun te bujtina e familjes sime, se sa sot në Parlament”.

Postimi i plotë:

Sot mbushi 25 vjeç, dhe një gja asht e sigurt: nji vit ma përpara isha ma e lumtun te bujtina e familjes sime, se sa sot në Parlament.

Atje nuk përballesha me fyemje e shpifje, por me komplimente prej familjeve që na vizitonin ku e kaloja ditën në mes të natyrës së bekume shqiptare, e jo në mes të trafikut urban e kakofonisë së shpeshtë. Por kjo s’do me thanë se jam e pendueme. Përkundrazi, ndjehem e frytshme në nji terren ma t’gjanë.

Jam ende në fillimet e mia. E kam marrë këtë iniciativë me bindje të plotë: me lanë gjurmë, me u përpjekë me ndryshu gjanat në Shkodër e në tanë Shqipninë. Si vajzë e re, që ka ba do gjana n’jetë, kam shumë vullnet e vendosmêni, e askush s’mundet me ma ndalë dëshirën, vizionin dhe forcën e shpirtit tem për me e çue përpara këtë punë.

Dikush mund të më pyesë: “Pse pra, meqë ishe e lumtun e aq mirë, u fute në politikë?”

Përgjigjja asht e thjeshtë: sepse si e re aktiviste, për vite të tana me miq e shokë jemi ankue për gjanat që duhen përmirësu, e sot mu dha mundësia konkrete me i prek e me i ndryshu. Sepse gjanat nuk ndryshojnë tuj u ankue, por tuj kërku zgjidhje praktike për me përmirësu jetën e qytetarëve.

Uroj fort mos me u pendu kurrë dhe me ardhë dita që me thanë me zemër plot se jam e lumtun që zgjodha këtë rrugë e po ashtu me marrë shum t’rinj e t’reja të talentuem të ktij vendi me vete.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›