Ministri Salla me fermerët në Delvinë: Rimbursim 10% të TVSH-së duke nisur nga janari

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka zhvilluar një takim këtë të dielë, më 16 nëntor, me bletërritësit dhe fermerët e Delvinës.
Gjatë kësaj vizite, Salla prezantoi skemën e re të mbështetjes për sektorin dhe masat që qeveria po ndërmerr për të rritur prodhimin, cilësinë dhe konkurrueshmërinë e produkteve bujqësore në treg.
Gjatë bisedës së tij me bletërritësit dhe fermerët, Salla tha se skema e re e rimbursimit 10% të TVSH-së për çdo produkt bujqësor të shitur me faturë do të hyjë në fuqi duke nisur nga muaji janar
Sipas tij, formalizimi me NIPT është i domosdoshëm për të qenë pjesë e tregut konkurrues dhe për të pasur akses në mundësi të reja eksporti, sidomos drejt Bashkimit Europian.
“Çdo produkt bujqësor që ju do të shisni me faturë do të përfitojë 10% rimbursim TVSH-je. Kjo shumë do të llogaritet e do t’ju kthehet periodikisht. Ne duam të garantojmë që puna juaj të shpërblehet dhe që tregu të jetë sa më i formalizuar dhe i drejtë. Formalizimi nuk është vetëm për të marrë 10% rimbursim. Ai ju hap dyert që produktet tuaja të njihen në treg, të jenë konkurruese me çmim dhe cilësi, dhe të përputhen me standardet e BE-së”, u shpreh ministri Salla, i cili gjatë kësaj vizite ishte i shoqëruar edhe nga deputetët e zonës, Ardit Bido dhe Vasil Llajo.
Pak më herët, përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri Salla zbuloi shifrat e projektbuxhetit për vitin 2026, që i dedikohen menaxhimit të infrastrukturës për ujitje, kullim dhe mbrojtje nga përmbytjet
Sipas tij, nga fondi total prej 3.6 miliardë lekësh, kjo infrastrukturë përfiton një rritje prej 26.4% krahasuar me vitin e kaluar.