Dërgohet në gjykatë dosja e vrasjes së burrit
TIRANË- Prokuroria e Tiranës dërgoi pasditen e djeshme pranë togave të zeza të Gjykatës së Shkallës së Parë kërkesën për shqyrtimin e vleftësimit të arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj 28 vjeçares Vitore Suçi, e cila tre ditë më parë kreu vrasjen e bashkëshortit të saj, Mirash Doda me thikë. Sipas burimeve nga organi i akuzës, mësohet se prokurori i çështjes ka depozituar tashmë kërkesën ku do të kërkohet caktimi i masës së sigurisë arrest me burg ndaj 28-vjeçares që me thikën e kuzhinës e goditi bashkëshortin në zemër duke e lënë të vdekur, pas një grindjeje të momentit. Mësohet se Vitore Suçi, u arrestua pasditen e së hënës pasi ishin fqinjët ata që lajmëruan policinë për vdekjen dhe goditjet me thikë të gruas Suçi ndaj bashkëshortit Mirash Doda, në banesën e tyre në lagjen “Bregu i Lumit” në kryeqytet. Sipas burimeve pranë grupit hetimor thuhet se nga dëshmia e vetë gruas janë zbardhur marrëdhëniet e acaruara që ka pasur çifti i cili kishte vetëm pak muaj që ishte bashkuar në një martesë ligjore.