E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë dhe Vlorë, kapen 2 kile heroinë, 7 në pranga

Operacionet janë zhvilluar pothuajse njëkohësisht në dy qytete duke sjellë prangosjen në flagrancë të të dyshuarve

TIRANË- Dy operacione të ndryshme të policisë të zhvilluara pasditen e djeshme në kryeqytet dhe Vlorë kanë sjellë bllokimin e dy kilogramëve heroinë dhe arrestimin e shtatë personave. Operacionet që nuk kishin shumë lidhje njëri- me tjetrin, janë finalizuar në orët e pasdites nga forcat speciale pas shumë muajsh hetime intensive. Përveç drogës, policia ka sekuestruar edhe mjete të tjera që përdoreshin për trafikimin e saj.

Tiranë

Operacioni i parë është zhvilluar pasdite në kryeqytet dhe është koduar me emrin “Kollona”. Në përfundim të tij policia ka publikuar se ka arrestuar tre persona dhe ka sekuestruar rreth një kilogram heroinë. “Falë një pune disa javore, mbajtjes nën vëzhgim duke përdorur metodat speciale të hetimit u mundësua goditja afërsi të Sheshit “Nënë Tereza” dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve Mehmet Zyber Belba 45 vjeç, Elvis Halil Arifaj 24 vjeç dhe Martin Satedin Bocaj 22 vjeç. Ata u kapën në flagrancë gjatë shkëmbimit të lëndës narkotike të dyshuar heroinë. Këtyre shtetasve iu sekuestrua menjëherë sasia prej një kg heroinë, e cila ishte e ndarë në 2 pako, pesë aparate celularë, si dhe mjetin tip Benz me targa TR 3431 M”, thanë dje burimet zyrtare të policisë. Sipas tyre, pas arrestimit, agjentët kanë shkuar në banesat e tre personave dhe kanë zbuluar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 400.000 lekë (të reja), të cilat dyshohet se janë përfituar nga tregtimi i lëndës narkotike, një thikë që plotësonte kushtet e armës së ftohtë, si dhe pesë shashka.

Vlorë

Pothuajse njëkohësisht me këtë operacion, por këtë herë në Vlorë, policia ka kryer një tjetër operacion antidrogë. Burimet zyrtare pohuan se rreth orës 18.00 u bë i mundur sekuestrimi i një sasie prej rreth një kilogram heroinë dhe arrestimi në flagrancë i katër shtetasve. “Të arrestuarit janë Gentian Lavdosh Mërtiraj, vjeç 24, Ervin Qemal Lushaj, vjeç 21, Vilson Refat Lushaj, vjeç 40, (xhaxhai i shtetasit Ervin Lushaj) dhe Ermal Guri Harizaj, vjeç 23. Këta shtetas u kapën në flagrancë në afërsi të shkollës së mesme “Ali Demi” në qytetin e Vlorës teksa po tentonin të shisnin një sasi prej rreth një kg lëndë narkotike heroinë të ndarë në dy pako. Operacioni “Aprilia” që bëri të mundur arrestimin i këtyre shtetasve u bë i mundur falë një hetimi disa javor të strukturave të luftës kundër krimit të organizuar të Policisë së Shtetit”,- thanë dje burimet zyrtare të policisë. Sipas tyre, të arrestuarve iu gjetën dhe sekuestruan tre mjete, njëri tip “Volvo”, me targa italiane, njëri tip “Benz 180 c klass” me targa italiane, si dhe një motor “Aprilia” me targa “Vl 601 A”. Po ashtu iu sekuestruan dhe katër telefona celularë. Burimet e policisë pohuan se ende po vazhdojnë hetimet për të dyja grupet e kapura gjatë pasdites së djeshme. Hetimet do të përqendrohen fillimisht në identifikimin personave të tjerë pjesëmarrës në trafik por edhe të atyre që kanë siguruar lëndën narkotike.

TË ARRESTUARIT

Tiranë

Mehmet Zyber Belba, 45 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë,

Elvis Halil Arifaj, 24 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë,

Martin Satedin Bocaj, 22 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë

Vlorë

Gentian Lavdosh Mërtiraj, vjeç 24, nga Vlora, i dënuar më parë me 3 vjet burg për vjedhje,

Ervin Qemal Lushaj, vjeç 21, nga Mesaplik, Vlorë,

Vilson Refat Lushaj, vjeç 40, nga Vlora (xhaxhai i shtetasit Ervin Lushaj)

Ermal Guri Harizaj, vjeç 23, nga Vlora, me aktivitet privat tregtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›