Dëshmi për “Medicus”: Heqje dhe pranim veshkash në klinikë

Në vazhdimësinë e dëshmive lidhur me rastin Medicus, ekspertja mjeko-ligjore e EULEX-it, Daniela Roberta Skilaqi, ka deklaruar në Gjykatën e Prishtinës, se është e sigur se në Klinikën Medicus është kryer një rast transplanti veshkash.
Doktoresha Skilaqi tha se për Walter Jungman dhe Tadeus Sadej ka vetëm prova rrethanore se kanë bërë transplantim, pasi nga Libri i Laboratorit del se gjendja e veshkave të tyre është përmirësuar dukshëm. Ndërkaq të dy pacientët e kanë pranuar se kanë pasur një transplantim të veshkave. Për dy rastet e tjera ka vetëm prova se kanë qenë në “Medicus” dhe se gjendja e veshkave të tyre është rregulluar pas disa ditësh qëndrimi.
Ekspertja tregoi se ka prova të mjaftueshme se kanë qenë pesë raste heqjesh të veshkave nga “dhuruesit”, dhe këtë e bazon në formularët e anesteziologjisë, në të cilën krahas emrave të pacientëve është edhe koha e ndërhyrjes, përfundimi i saj si dhe ekipi i mjekëve që ka marrë pjesë në operim.
Skilaqi ka deklaruar gjithashtu se në të gjitha operimet për të cilat kanë informata, Yosuf Somnez ka qenë kirurgu kryesor i cili ka kryer operimet, ndërsa mendohet se kirurgu nuk ka punuar vetëm, ku ekspertja tha se sipas formularit të anestezionit del se edhe anesteziologët ishin gjatë operimit.