Dëshmori Feti Vogli përcillet për në banesën e fundit
Trupi i pajetë i Dëshmorit të Atdheut, Feti Vogli, ka mbërritur në atdhe. Kapiteni paqeruajtës që u vra 4 ditë më parë në Afganistan është sjellë rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm në Shqipëri me një avion të NATO-s.
Familja Vogli në Baldushk të Tiranës ka katër ditë që ka hapur dyert e mortit, ku ceremonia e homazheve u zhvillua deri në orën 10:00.
Më pas, trupi i Dëshmorit të Atdheut u transportua drejt Pallatit të Kongreseve, ku u zhvilluan homazhet me pjesëmarrjen e krerëve më të lartë të shtetit dhe përfaqësues të trupit diplomatik.
I pari që ka zhvilluar homazhe pranë trupit të pajetë të kapitenit Vogli ka qenë ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili ka lënë edhe një shënim në librin e ngushëllimeve. Pas tij, Dëshmorin e Atdheut e ka nderuar shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Xhemal Gjunkshi.
Pak më vonë, homazhe pranë arkivolit të Feti Voglit kanë zhvilluar edhe kryeministri Berisha, zv. kryeministri dhe ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryeprokurorja Ina Rama, deputetë të PD-së e PS-së.
Nderime për nder të Kapitenit kanë zhvilluar edhe ambasadorët e huaj në Tiranë si ai i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, ambasadori i BE-së, Etore SeKui, ambasadori i OSBE-së Eugen Uollfarth, ambasadorja britanike, ai italian, ambasadori holandez etj.
Në orën 13:00, arkivoli me trupin e pajetë të kapitenit Feti Vogli u vendos përpara Pallatit të Kongreseve, ku u mbajt ceremonia e lamtumirës së fundit. Më pas, arkivoli me trupin e Feti Voglit u përcoll për në banesën e fundit në Varrezat e Dëshmorëve. Apeli i fundit, të cilit do t’i mungonte zëri i 31-vjeçarit nga Baldushku i Tiranës, pëmbylli ceremoninë mortore në nderim të tij. / G. Ndoja
* * *
Ceremonia mortore e kapiten Voglit, detajet që stonojnë në programin zyrtar
Ceremonia mortore për Kapitenin Feti Vogli, i cili humbi jetën katër ditë më parë në Afganistan, do të kryhet nga shteti shqiptar me të gjitha nderimet që i bëhen një dëshmori. Dje janë publikuar të gjitha detajet e ceremonisë që nga pritja e trupit sot në orën 3 e 15 të mëngjesit e deri tek dreka e përmotshme në orën 15 e 30 minuta. Por mes tyre ka detaje të tjera që stonojnë.
Detaji i parë që bie në sy për keq është ai i ceremonisë mortore në shtëpinë e të ndjerit. Në mënyrë që ceremonia zyrtare të kulmojë në mesditë kur do të mbërrijnë zyrtarët e shtetit, familja është detyruar ta zhvillojë pritjen e saj në mëngjes. Sipas programit zyrtar, ceremonia mortore familjare do të nisë në orën 06 e 45 minuta të mëngjesit dhe do të përfundojë në 10:00. Të afërmit dhe miqtë e Feti Voglit duhet ngrihen me natë që të kapin ceremoninë mortore pasi dielli do të lindë në orën 06 e 24 minuta, vetëm 20 minuta përpara ceremonisë. Në orën 10 trupi do të merret nga shtëpia dhe do të dërgohet në Pallatin e Kongreseve ku është planifikuar të bëhet ceremonia zyrtare.
Në këtë pikë vihet re një tjetër detaj që stonon. Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti është Komandanti i Forcave të Armatosura, por sot ai do të jetë zyrtari i fundit në listë. Programi zyrtar ka përcaktuar se zyrtari i parë që do të zhvillojë homazhe tek trupi i të ndjerit do të jetë Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dhe pas tij do të vijë Shefi i Shtabit. Në orën 12:25 është rradha e kryeministrit Sali Berisha që të zhvillojë homazhet. Ora 12:30 12:35 – Zhvillimi i homazheve nga Kryetarja e Kuvendit; Ora 12:35 12:40 – Zhvillimi i homazheve nga Presidenti; Ora 12:45 13:00 – Zënia e vendeve për fillimin e ceremonisë mortore,- thotë programi zyrtar i ceremonisë. Në këtë pikë Posti i Presidentit është renditur pas qeverisë, por edhe pas Kuvendit. e.janina
Programi
Ora 03:15 – Pritet mbërritja e avionit që mbart trupin e të ndjerit
Ora 03:20 – Trumpetat njoftojnë për daljen e arkivolit nga avioni
Ora 03:20 03:25 – Përgatitja për fillimin e lëvizjes për tek automjetet
Ora 03:25 03:30 – Ecja me arkivolin mbi supet e ushtarakëve për 200 m deri tek makina e
funeralit
Vendosja e arkivolit në makinën e funeralit
Pjesëmarrësit zënë vendet e tyre nëpër makina
Ora 06:45 10:00 – Ceremonia mortore familjare
Ora 10:00 10:45 – Lëvizja e arkivolit me trupin e të ndjerit për në Pallatin e Kongreseve
Ora 10:45 11:00 – Vendosja e arkivolit ne vendin ku do të zhvillohen homazhet në Hollin e Pallatit të Kongreseve
Ora 11:00 12:15 – Zhvillimi i homazheve
Ora 12:15 12:20 – Zhvillimi i homazheve nga Ministri i Mbrojtjes dhe Shefi i Shtabit
Ora 12:25 12:30 – Zhvillimi i homazheve nga Kryeministri
Ora 12:30 12:35 – Zhvillimi i homazheve nga Kryetarja e Kuvendit
Ora 12:35 12:40 – Zhvillimi i homazheve nga Presidenti
Ora 12:45 13:00 – Zënia e vendeve për fillimin e ceremonisë mortore
Ora 13:00 – Fillimi i ceremonisë zyrtare
Ora 13:00 13:05 – Himni Kombëtar
Ora 13:05 13:10 – Fjala e lamtumirës
Ora 13:10 13:11 – Trompetat njoftojnë për përfundimin e ceremonisë
Ora 13:11 13:25 – Rreshtimi i pjesëmarrësve në ceremoni për lëvizjen drejt Varrezave të Dëshmorëve të Atdheut
Ora 13:25 13:50 – Lëvizje e kortezhit për në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut
Ora 13:50 14:00 – Grumbullimi i pjesëmarrësve në ceremoninë e varrimit dhe vendosja e tyre në vendet e caktuara
Ora 14.00 14.07 – Zhvillimi i Ceremonisë së Apelit të Fundit nga Komandanti i Batalionit të Operacioneve Speciale, Kolonel Dritan DEMIRI
Ora 14.07 14.17 – Lëvizja e arkivolit të mbajtur në krahë nga grupi i ushtarakëve për në vendin e varrimit
Ora 15.00 – Përfundimi i ceremonisë
Ora 15.00 15.30 – Lëvizje për në Qendrën Kulturore të Ushtrisë
Ora 15.30 – Dreka e përmortshme
* * *
Ministria e Mbrojtjes i akordon titullin Dëshmor i Atdheut kapitenit Feti Vogli, i cili u vra 4 ditë më parë gjatë një sulmi në Afganistan.
Në një njoftim për shtyp të dhënë 3 ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se varrimi i Kapitenit Feti Vogli do të bëhet në Varrezat e Dëshmoreve të Kombit, ndërsa në lidhje me detajet e tjera të ceremonisë mortore do të shprehet pas përcaktimit të kohës së mbërritjes në atdhe të trupit të tij.
Gjithashtu, në njoftimin për shtyp, Ministria e Mbrojtjes jep me detaje dinamikën e ngjarjes në Afganistan.
Më datën 20. 02. 2012 në orën 16. 30 sipas orës lokale të Kandaharit, gjatë një misioni inspektimi dhe shoqërimi në rajonin SHADIZI ROBAT në afërsi të Bazës Ushtarake në SPIN BOLDAK, Grupi i Parë Special i Kontingjentit EAGLE 4, që vepron në kuadër të operacionit ISAF, ka rënë nën zjarrin e befasishëm të një efektivi të policisë lokale afgane.
Si rezultat i zjarrit të befasishëm kanë mbetur të plagosur tre ushtarakë, dy shqiptarë dhe një amerikan. Grupi i ushtarakëve të gjendur në këtë situatë të rëndë, ka reaguar me vendosmëri dhe profesionalizëm të lartë, duke bërë të mundur arrestimin e personelit të Policisë Afgane të përfshirë në ngjarje. Nga strukturat operacionale të NATO-s janë marrë masa të menjëhershme për evekuimin mjekësor ajror të të tre të plagosurve. Komandanti i Grupit, Kapiten Feti VOGLI nuk ka mundur të përballojë plagët e marra dhe ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital, ndërkohë që të dy ushtarakët e tjerë janë futur menjëherë në sallat e operacionit.
Në orën 20:49 sipas orës lokale, ose orës 17:19 sipas orës së Shqipërisë, autoritetet komanduese të misio
