E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështimi për formimin e qeverisë së re, analistja zbulon detajet e fundit në Kosovë: Nuk përjashtohet skenari i zgjedhjeve të parakohshme!

Verifikimi i mandateve nuk është bërë i mundur ditën e djeshme, duke çuar në ndërprerjen e seancës së Kuvendit të Kosovës.

Por, pavarësisht bojkotit që opozita i bëri konstituimit të Kuvendit të Kosovës, me argumentin se qeveria shkeli Kushtetutën duke qëndruar në detyrë, kryeministri Albin Kurti mblodhi sot ekzekutivin.Sipas tij kjo mbledhje jo vetëm që lejohet nga ligji, por është edhe e domosdoshme.

Kurti theksoi se Partia Demokratike, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe, me votën e tyre kundër raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve, pamundësuan vazhdimin e seancës konstituive një ditë më parë.

Sa i përket letrës që i është drejtuar Kuvendit, ku pritej të bëhej konstituimi i tij, Kurti tha se përmes saj është njoftuar vetëm për statusin e qeverisë.

Por, për të diskutuar më shumë për zhvillimet në Kosovë, në edicionin qendror të lajmeve të orës 19:00 në Vizion Plus me Aleksandër Furxhi, ishte analistja Alma Lama.

Lama tha se Kurti po fiton më shumë kohë për të negociuar me partitë e minoriteteve. Ajo nënvizoi se nuk përjashtohet as skenari i zgjedhjeve të parakohshme.

Sa i përket njohjes së Kosovës nga Sudani dhe nga Kenia, Lama i quajti lajme shumë të mira, teksa theksoi se është shumë e rëndësishme për Kosovën që të marrë njohjen edhe nga shtetet e BE-së, të cilat sipas analistet deri tani nuk kanë treguar ndonjë lëvizje.

Intervista e plotë:

Dështimi për të zyrtarizuar Kuvendin e ri po shoqërohet me debate dhe polemika mbi atë që po konsiderohet legjitimiteti i qeverisë aktuale. Kurti deklaroi se ai, në këto kushte, nuk mund ta braktisë detyrën. Ju si mendoni?

Lama: Mendoj se përpara certifikimit nga ana e KQZ-së, është dashur që Kurti dhe gjithë kabineti qeveritar të japë dorëheqjen, sepse kështu e parashikon ligji i miratuar në vitin 2022, pra një ligj i miratuar nga partia e Kurtit. Është hera e parë që krijohet një Kuvend me një ligj të tillë në fuqi, por është dashur të jepej dorëheqja, dhe pastaj ai do të quhej Kryeministër në dorëheqje. Ka një hezitim nga ana e Kurtit dhe kabinetit të tij qeveritar për të dhënë dorëheqjen. Kjo është një betejë politike, për të parë se ku qëndrojnë subjektet politike me numra. Z. Kurti nuk kishte numra të mjaftueshëm për qeveri, as për zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit. Por e ka bërë më shumë për të fituar kohë, sidomos për të negociuar me partitë e minoriteteve.

Çfarë po ndodh në prapaskenë në lidhje me synimin e Kurtit për krijimin e kabinetit qeveritar? Çfarë dihet deri tani?

Lama: Asnjëra palë nuk i ka numrat e mjaftueshëm për të formuar qeveri. Në këtë situatë, edhe partitë e pakicave joserbe kanë shtuar kërkesat e tyre për të marrë më shumë ministri e përfaqësim. Edhe kështu, prapë nuk mjaftojnë votat as për z. Kurti, si partia e parë e zgjedhjeve, dhe as për ndonjë alternativë tjetër për të krijuar shumicë. Po zvarritet gjithnjë e më shumë procesi për të fituar kohë. Beteja politike do të vazhdojë dhe do të shohim kush do e “thyejë rendin”. Nuk përjashtohet as skenari i zgjedhjeve të parakohshme. Ajo që ndodhi dje ishte një procedurë formale, por u pa që u kthye në një betejë politike, ku të dyja palët i treguan njëra-tjetrës se ku qëndrojnë me vota. Më saktë, opozita i tregoi z. Kurtit që nuk i ka votat për të krijuar qeveri, dhe kjo ka krijuar tensione të mëdha.

Në rrafshin ndërkombëtar kanë ndodhur disa zhvillime që për Kosovën janë të rëndësishme. Është njohja e Kosovës nga Sudani dhe nga Kenia. Si janë përcjellë këto zhvillime?

Lama: Janë lajme shumë të mira. Këto dy njohje janë shumë të rëndësishme dhe thyejnë “akullin” që ishte krijuar, sikur Kosova kishte konsumuar numrin e njohjeve në arenën ndërkombëtare. Roli i Turqisë ka qenë shumë i rëndësishëm në këto njohje. Pavarësisht nga numri i njohjeve, për ta pranuar Kosovën vendos Këshilli i Sigurimit. Megjithatë, është shumë e rëndësishme për Kosovën që të marrë njohjen edhe nga shtetet e BE-së, të cilat deri tani nuk kanë treguar ndonjë lëvizje.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›