Dështon formimi i qeverisë, Kosova drejt zgjedhjeve të reja

PRISHTINË, 19 nëntor/ATSH/ Vetëm 56 vota ka marrë kabineti qeveritar i prezantuar nga i mandatuari për kryeministër Glauk Konjufca.
Konjufca ka dështuar ta formojë qeverinë e re në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
Pro qeverisë Konjufca votuan vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Guxo, Alternativa, si dhe tetë deputetë të komuniteteve jo shumicë.
Ndërkaq kundër votuan 53 deputetët e PDK-së, LDK-së, AAK-së, Listës Serbe, kurse tre deputetët e Nisma Socialdemokrate abstenuan.
Më herët gjatë fjalë së tij, i mandatuari për kryeministër, Glauk Konjufca ka deklaruar se do të ishte arrogancë nëse vendi të shkonte në zgjedhje të reja.
Konjufca tha se viti 2025 do të mbahet mend për përpjekjet për themelimit të institucioneve të vendit, raporton KosovaPress.
Ai tha se LVV për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare ka ndërmarrë tre hapa, duke theksuar se nëse sot nuk votohet si kryeministër pashmangshëm vendi do të shkoj në zgjedhje të reja.
Konjufca paraqiti disa nga synimet e tij për 2026 nëse arrin të bëhet kryeministër.
“2026 do të jetë vit i transformimit të shëndetësisë publike në të gjitha rajonet e Kosovës prej spitaleve të reja që do të ndërtohen”, tha Konjufca.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka kritikuar Glauk Konjufcën për mungesë të programit qeverisës.
Ai tha se Konjufca foli vetëm për synimet për vitin 2026 sikurse po aplikon për një qeveri njëvjeçare.
Haradinaj shtoi se ka një komplot nga Lëvizja Vetëvendosje që zgjedhjet e reja të mbahen më 28 dhjetor, por sipas tij kjo është kërkon kalkulim më të mirë.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur shfaqje teatrale seancën e sotme të Kuvendit për formimin e qeverisë së re.
Ai drejtoi një sërë akuzash ndaj liderit të LVV-së, duke theksuar se Kurti ka bllokuar Kosovën për dhjetë muaj.
/KosovaPress//r.e/