Kosova drejt zgjedhjeve të reja! Edhe Konjufca dështon të kalojë qeverinë e re në Kuvend

Pas dështimit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti edhe i mandatuari i dytë Glauk Konjufca nuk arriti t’i bënte 61 votat e nevojshme për formimin e qeverisë.
“Me 56 vota pro, 53 kundër dhe 4 abstenime Kuvendi nuk e zgjodhi qeverinë e re të Republikës së Kosovës”, tha Dimal Basha.
Deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, ka akuzuar partitë opozitare se së bashku me Listën Serbe janë bashkuar kundër Albin Kurtit.
“Tash, për më tepër se nëntë muaj, partitë e ish-opozitës bashkë me Listën Serbe janë barrikaduar kundër Albin Kurtit. Qëllimi i vetëm i tyre është shndërruar kundërshtimi i Albin Kurtit, pa pasur asnjë alternativë, por edhe duke lënë çdo interes shtetëror dhe të qytetarëve anash… Edhe pse seanca ishte thirrur për të votuar mandatarin Glauk Konjufca për kryeministër, ju e patë se të gjitha fjalimet e opozitës ishin kundër Albin Kurtit. Këta janë në gjendje t’i lënë edhe 700 punëtorë të RTK-së pa paga. Janë në gjendje edhe 85 mijë shërbyes publikë pa paga dhe 400 mijë fëmijë pa shtesa dhe 300 mijë pensionistë pa pensione vetëm e vetëm që dikush mos t’ia lërë fajin Albin Kurtit.”, u shpreh Murati.
Ndërkohë deputeti i PDK-së Memli Krasniqi, kërkoi nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, që sa më shpejt të shpallë datën e zgjedhjeve të reja.
“Sot s’ka mbetur të thuhet asgjë përveç se Presidentja e Republikës e ka obligim që sa më parë të shpallë datën e zgjedhjeve që mos të humbet kohë e vlefshme më tej që qytetarët të kenë institucionet. Edhe propagandimi i të pavërtetave të shumta nuk pinë ujë. Kosova nuk është duke i rrezikuar fondet e BE-së me mosvotimin e sotëm, as kreditë e Bankës Botërore me mosvotimin e sotëm dhe as qytetarët nuk mbesin pa pagat e tyre për vitin e ardhshëm me mosvotimin e sotëm të buxhetit të sotëm. Edhe deputeti i LDK-së Armend Zemaj i bëri apel presidentes së Kosovës. Nuk është vështirë asgjë kur ka vullnet me u respektu Kushtetuta. Ne edhe ashtu kemi humbur shumë gjatë këtij viti por bllokuesi sot e mori përgjigjen me votë. E thërrasim edhe Presidenten të respektojë afate kushtetuese dhe të mos lejojë as një ndërhyrje në vendimet e saj kushdo qoftë ai”, tha Krasniqi.
Dështimi i Konjufcës si mandatar i dytë për formimin e qeverisë pasqyron thellësinë e krizës institucionale dhe politike në Kosovë e cila tashmë ka vetëm një rrugë, zgjedhjet e jashtëzakonshme.