E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështon konstituimi i kuvendit në Kosovë, edhe në votimin e gjashtë kandidatja e “Vetëvendosje” nuk mori votat e nevojshme

Ka dështuar me sukses edhe tentativa e gjashtë e deputetëve të Kosovës për konstituimin e Kuvendit këtë të premte.

Ashtu sic pritej, deputetët u mblodhën në sallë me asnjë qëndrim të ri, duke votuar njësoj si të pesta herët e tjera.

Albulena Haxhiu mori sërish 57 vota pro, 47 kundër dhe tre abstenime, të pamjaftueshme për tu zgjedhur.

Vetëvendosja si parti e parë, edhe pse nuk i ka numrat e nevojshëm, këmbëngul në emrin e kandidates që nuk ka mbështetjen e asnjërës nga partitë e tjera, përfshirë edhe disa ligjvënësve nga pakicat.

“Nuk ka asnjë arsye, asnjë person dhe asnjë Grup Parlamentar të refuzojë votën për zonjën Albulena Haxhiu. Është jo vetëm një personalitet i jashtëzakonshëm, por është edhe një person i cili me aktivitetin e saj politik ka dëshmuar përkushtimin e saj për këtë vend. Prandaj, ky është arsyetim falso. Arsyetimi i vërtetë i partive opozitare është që nuk duan ta pranojnë vullnetin e qytetarit”, tha Donika Gërvalla, deputete e Lëvzjes Vetëvendosje.

Opozita bën përgjegjëse Lëvizjen Vetëvendosje që mund ta zhblloojë situatën përmes një marrëveshje apo një emri konsensual.

“Një gjë është e qartë, Albulena Haxhiu nuk kalon. Sikur të donin zgjidhje, kanë pasur mundësi edhe sot, edhe pardje, edhe para katër ditësh. të njëjtën mundësi e kanë edhe pasnesër: Ta ndërrojnë deputetin”, tha kreu i PDK, Memli Krasniqi.

 “Po mendoj që i tërë debati i këtyre ditëve të fundit është shtruar në mënyrë të gabuar, nuk është çështja se a ka ndërruar qëndrim PDK, por a ka ndryshuar qëndrim dhe a ka përpjekje për zhbllokim nga ana e subjektit të parë parlamentar, Lëvizjes Vetëvendosje. Ata duhet ta zhbllokojnë situatës”, tha nënkryetarja e LDK-së, Vlora Çitaku.

Kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët kërkojnë të paktën 61 vota për tu zgjedhur ndërsa pas konstituimit të kuvendit do t’i hapej rruge edhe formimit të qeverisë së re.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›